Detaje të reja janë zbardhur nga atentati me armë zjarri i regjistruar mbrëmjen e sotme në Sarandë, ku mbeti i plagosur rëndë 50-vjeçari Thimjo Rubati.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:15, në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku shtetasi Thimjo Rubati, 50 vjeç, është plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta, përpara biznesit të tij.
Nga të dhënat paraprake të hetimit dyshohet se autorët kanë qenë dy persona të maskuar me skafandra, të cilët kanë qëlluar ndaj 50-vjeçarit dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me një motomjet.
Ndërkohë, burime bëjnë me dije se Rubati ka marrë tre plumba dhe, për shkak të gjendjes së rënduar, është nisur me ambulancë drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.

“Rreth orës 21:15, në lagjen nr. 4, në Sarandë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri para biznesit të tij, shtetasi Th. R., 50 vjeç. Ai është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Nga të dhënat e para dyshohet se autorët kanë qenë dy persona me skafandra, të cilët janë larguar nga vendngjarja me motomjet.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njofton policia e Sarandës.
Kush është Thimjo Rubati alias Sandër Rubati
Thimjo Rubati rezulton një person me precedentë të shumtë penalë. Ai është skeduar më herët për vepra penale që lidhen me trafik klandestinësh, kontrabandë, armëmbajtje pa leje, si dhe trafik të mjeteve motorike.
Burime bëjnë me dije se Rubati ka pak vite që ka dalë nga burgu, pasi ka qenë i arrestuar në Greqi për një ngjarje të rëndë.
Ngjarja ka ndodhur vetëm pak metra larg vendit ku një natë më parë u dhunua oficeri i Policisë Mihal Velço. Për këtë ngjarje, policia ka shpallur në kërkim djalin e Thimjo Rubatit, Andrea Rubati, 27 vjeç, së bashku me Antonio Lefteri, 30 vjeç dhe Engjëll Dalanaj, 30 vjeç, të tre me precedentë penalë.












