E ardhmja e Kristjan Asllanit te Interi mbetet ende e paqartë. Mesfushori i Kombëtares shqiptare është pjesë e skuadrës që ka nisur përgatitjet verore, por njëkohësisht vazhdon të jetë një nga emrat që konsiderohet i transferueshëm gjatë merkatos.

Java në vijim pritet të jetë vendimtare, pasi nga njëra anë ai do të ketë mundësinë të bindë trajnerin Kristian Kivu për ta mbajtur në projekt, ndërsa nga ana tjetër drejtuesit zikaltër vazhdojnë të shqyrtojnë mundësinë e një shitjeje, teksa opsion më i zbehtë është një huazim i mundshëm.
FAZA PËRGATITORE
Asllani ka udhëtuar së bashku me skuadrën drejt Gjermanisë, ku Interi do të zhvillojë fazën përgatitore verore. Mesfushori shqiptar do të jetë nën vëzhgimin e stafit teknik gjatë seancave stërvitore, në një periudhë që mund të rezultojë vendimtare për të ardhmen e tij.
Trajneri Kristian Kivu do të ketë mundësinë të vlerësojë nga afër gjendjen dhe kontributin e lojtarëve që janë në dyshim për sezonin e ri, mes tyre edhe Asllanin. Për shqiptarin kjo fazë përgatitore përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të fituar besimin e trajnerit dhe për të siguruar një vend në projektin zikaltër, edhe pse situata e tij mbetet e hapur.
LARGIMI NGA INTERI
Pavarësisht grumbullimit me skuadrën, Asllani vazhdon të konsiderohet një nga lojtarët që mund të largohet gjatë kësaj vere. Sipas mediave italiane, ai dhe Davide Frattesi janë dy mesfushorët që nuk bëjnë pjesë në planet afatgjata të Interit dhe klubi po punon për të gjetur një zgjidhje në merkato.
Interi e vlerëson kartonin e Asllanit rreth 10 milionë euro dhe shitja e tij do të ishte pjesë e planit të klubit për të siguruar fonde që më pas do të investohen në afrimet e reja.
Bashkë me largimet e mundshme të Fratesit dhe Benxhamin Pavard, zikaltërit synojnë të arkëtojnë rreth 50 milionë euro për të financuar operacionet në hyrje. Megjithatë, deri në gjetjen e një destinacioni të ri, Asllani do të vazhdojë të stërvitet normalisht me skuadrën.
Performanca e tij gjatë fazës përgatitore mund të ndikojë në vendimin përfundimtar, edhe pse sinjalet që vijnë nga Italia tregojnë se skenari më i mundshëm mbetet largimi nga “San Siro” gjatë kësaj merkatoje verore.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











