NGA GENC POLLO
Dje, Zyra e Prokurorit Publik Europian, që njihet përgjithësisht me akronimin anglisht EPPO, pas hetimit në Greqi të shpërdorimit të fondeve europiane për zhvillimin e bujqësisë mori të pandehur deputetët e partisë në pushtet Skrekas, Boukoros, Senetakis dhe Papakosta.
Ata dyshohen për shpërdorim detyre dhe nxitje për menaxhim të paligjshëm të fondeve europiane. Në një rast dyshimi është për dëshmi të rreme e mashtrim kompjuterik. Krahas deputetëve u morën të pandehur edhe 18 persona përfshi ish funksionarë. Për 9 deputetë të tjerë të hetuar fillimisht EPPO u shpreh se nuk kishte gjetur prova fajësuese.
Ky rast hyri në debatin publik shqiptar para disa muajsh kur parlamenti grek miratoi kërkesën e EPPOsë për të hequr imunitetin e 13 deputetëve. Kjo ndodhi në kulmin e debatit të nxehtë mbi refuzimin e kryeministrit Edi Rama e mazhorancës së tij për të hequr imunitetin e ish zv/kryeministres Belinda Balluku pas kërkesës së SPAK-ut. Opozita e solli si shembull sesi lipset të veprohet në raste të tilla. Argumenti ishte se imuniteti nuk mund të të mbrojë nga akuza e masat e ndërmjetme të saj edhe kur veprat penale të dyshuara janë minore si në rastin e deputetëve grekë e jo më kur bëhet fjalë për akte të rënda si ato që njoftoi SPAK-u në rastin “Balluku”.
Por ka edhe një aspekt tjetër ku EPPO dhe rasti grek lipset të hyjnë në debatin shqiptar dhe në atë europian. OLAF (Zyra kundër mashtrimit financiar në BE; bën hetime administrative por jo penale) shqyrtoi për tre vjet përdorimin e fondeve europiane nga Ministria e Bujqësisë e agjencia në vartësi të saj AZHBR. Pas konkludimit se 33 milion euro dyshoheshin të shpërdoruara Komisioni Europian vendosi në vitin 023 ngrirjen e projekteve aktive dhe pezullimin e programit vijues (IPARD 3) me vlerë 112 euro.
Kjo gjendje vazhdon deri sot. Kushtet e vëna nga Brukseli për reformim garantues se abuzimi nuk do të përsëritet nuk janë përmbushur nga qeveria. Hetimi penal si nga prokuroria Tiranë e më pas nga SPAKu nuk ka çuar në të pandehur. Për të agravuar problemin me një ofendim publik KM Rama e emëroi këshilltare të tij për bujqësinë ish drejtuesen titullare të ministrisë e të agjencisë gjatë kohës kur ndodhën abuzimet.
Kjo ngjarje mund të kishte marrë një tjetër rrjedhë nëse do të hetohej nga EPPO siç tregon rasti në Greqi. Prokurorët tanë, në rastin më të mirë nga mbingarkesa dhe në rastin më të keq nga mosdashja, nuk kanë përfunduar në kohë të arsyeshme një hetim mbi një çështje që është e rëndë në pasoja jo thjesht për volumin financiar por më shumë për raportin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Prandaj në raste të tilla do të ishte avantazh i madh hetimi nga EPPO. Për këtë duhen bërë përshtatjet ligjore nga BE që të mundësojnë shtete ende jo anëtare por në negociata për anëtarësim që të bëhen pjesë e prokurorisë së BE e cila ka në fokus vetëm kriminalitetin lidhur me fondet europiane. Qasja pothuaj e institucionalizuar në Bashkimin Europian e “anëtarësimit gradual” parasheh edhe anëtarësimin në organe të caktuara të BE-së pa qenë ende anëtar me të drejta të plota.
Ndihma e EPPO-së në Shqipëri dhe në shtetet e tjera të rajonit është në përputhje me insistimin e Brukselit për shtet ligjor e për luftë korrupsionit. Kryeminstri i Kosovës Albin Kurti e hodhi këtë ide në v2024 gjatë në një samiti BE/Ballkan në Tivar, Mal i Zi.
Më vonë edhe lideri i opozitës në Shqipëri Sali Berisha e ka hedhur këtë ide. Gjithësesi janë shtetet kandidate që duhet të kërkojnë zyrtarisht të anëtarësohen në EPPO. Në vendin tonë sa të jetë Edi Rama kryeministër kjo nuk ka gjasë të ndodhë; sipas thënies se gjeldeti nuk aprovon festimin e Krishtlindjes/Vitit të Ri.
Por do të ishte një përpjekje e kuptimtë e opozitës dhe e shoqërisë që të lobonte me institucionet e me shtetet europiane që të ecej në këtë drejtim. Dhe që avancimi drejt fondeve dhe mbylljes së kapitujve të kushtëzohej edhe me gadishmërinë për anëtarësim ne EPPO.
Përmbushja e kesaj përpjekje do të kishte më shumë kuptim e vlerë për një Shqipëri europiane sesa mbyllja provizore dhe formaliste e kaptitujve dhe grupkapitujve që po negociohen aktualisht.
/GazetaPanorama
© Panorama.al












