Deklaratat e kryeministrit Rama, prindërit e Martin Canit: Përdor emrin e djalit tonë për qëllime politike! Siguria në shkolla kërkon veprime, jo pajisje teknologjike për propagandë

Jul 17, 2026 | 8:54

Prindërit e Martin Canit kanë reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në lidhje me tragjedinë që i mori jetën djalit të tyre, të bëra të enjten teksa foli për projektin “Smart City” dhe implementimin në 20 shkolla.

familja cani rama

Në një deklaratë publike, ata akuzojnë kryeministrin se vijon ta përdorë emrin e djalit të tyre për qëllime politike dhe se po shmang përgjegjësinë e institucioneve që sipas tyre dështuan ta mbronin.

“Familja Cani shpreh indinjatën e saj të thellë për mënyrën se si Kryeministri Rama vazhdon të përdorë emrin e djalit tonë, Martin Cani, për qëllime politike dhe propagandistike, duke shmangur përgjegjësitë reale të institucioneve që dështuan ta mbronin.”, theksojnë ata.

Familja Cani kundërshton pretendimin se mbyllja e TikTok ka rritur sigurinë e fëmijëve, duke sjellë si shembuj vrasjet e fundit të dy të miturve në Maliq dhe Durrës. Sipas saj, shkaku i dhunës nuk janë rrjetet sociale, por dështimet në sistemin arsimor dhe mungesa e sigurisë në shkolla.

“Këto tragjedi tregojnë se rrjetet sociale nuk janë shkaku i vrasjeve, por dështimi i sistemit arsimor, mungesa e sigurisë në shkolla dhe papërgjegjshmëria institucionale.”

Familja kritikon edhe projektin për vendosjen e kamerave në shkolla, duke theksuar se ato nuk zëvendësojnë masat konkrete për parandalimin e dhunës dhe nuk do të shpëtojnë jetë pa investime reale në siguri dhe mbështetje psikologjike.

“Siguria në shkolla kërkon veprime, jo pajisje teknologjike për propagandë.”

Referuar deklaratës së kryeministrit se “mendon vazhdimisht për Martinin”, prindërit e tij thonë se ai nuk ka bërë asgjë për ta dhe nuk ka ofruar asnjë mbështetje institucionale.

“Pse nuk është blerë pajisja e zemrës që do ta shpëtonte Martinin? Martini vdiq sepse: Spitali i Traumës nuk kishte kardiokirurg; Spitali i Traumës nuk kishte pajisjen zemër-mushkëri, që riparon zemrën e të plagosurve në zemër.”

Në përfundim, familja i bën thirrje Kryeministrit të kërkojë përfundimin sa më shpejt të hetimeve mbi përgjegjësinë e shkollës “Fan Noli” dhe të sistemit shëndetësor, duke theksuar se “18 muaj hetim pa përgjigje është turp institucional”.

Çfarë deklaroi kryeministri Rama?

“Sot të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike të një nxënësi të Shkollës “Fan Noli”, e cila tronditi mbarë vendin dhe krijoi një situatë konvulsive psikologjike, me versionet e ndryshme të ngjarjes, me politizimin ekstrem të vdekjes dhe me gazetarinë e gjakut. Në ndërkohë që Policia e Shtetit dhe natyrisht, përmes Policisë së Shtetit, Ministria e Arsimit, qeveria, u vunë në shënjestër të gjithfarë lloj spekulimesh, akuzash, sajesash dhe fabrikimesh, të cilat zgjatën jo pak dhe torturuan jo pak familjarët, por edhe gjithë opinionin publik. Unë nuk e kam harruar, siç e kanë harruar të gjithë ata që e përdorën, keqpërdoren, abuzuan deri në fund atë tragjedi, sepse e kujtoj përditë, duke ndjekur pikërisht këtë projekt, që është përgjigja ime dhe përgjigjja jonë ndaj asaj tragjedie.”, tha Rama.

DEKLARATA E PLOTE E FAMILJES CANI: 

Familja Cani shpreh indinjatën e saj të thellë për mënyrën se si Kryeministri Rama vazhdon të përdorë emrin e djalit tonë, Martin Cani, për qëllime politike dhe propagandistike, duke shmangur përgjegjësitë reale të institucioneve që dështuan ta mbronin.

Edhe sot, në fjalimin e tij publik, Kryeministri deklaroi se: “Prindërit duhet të ndihen të lehtësuar… qeveria është ndryshe nga si përshkruhet në kanalet sociale.” Por ndërkohë, realiteti është krejt tjetër: fëmijët vazhdojnë të vriten, institucionet vazhdojnë të dështojnë dhe tragjeditë nuk po ndalen.

  1. Vrasjet e miturve nuk ndaluan pas mbylljes së TikTok

Pavarësisht mbylljes së TikTok, të cilën qeveria e përdori si justifikim politik pas vrasjes së Martinit, realiteti është i qartë:

  • Një i mitur u vra në Maliq.
  • Një tjetër i mitur u vra në Durrës.

Këto tragjedi tregojnë se rrjetet sociale nuk janë shkaku i vrasjeve, por dështimi i sistemit arsimor, mungesa e sigurisë në shkolla dhe papërgjegjshmëria institucionale.

  1. Vendosja e kamerave nuk zgjidh problemin

Kryeministri foli sot për “smart city në shkolla” dhe për vendosjen e kamerave, duke thënë se: “Algoritmi është një trup që bën atë që thotë.”

Por kamerat:

  • nuk parandalojnë dhunën,
  • nuk zëvendësojnë psikologët,
  • nuk zgjidhin mungesën e sigurisë,
  • nuk e shpëtuan Martinin, dhe nuk do të shpëtojnë fëmijë të tjerë pa masa reale.

Siguria në shkolla kërkon veprime, jo pajisje teknologjike për propagandë.

  1. Kryeministri thotë se “mendon vazhdimisht për Martinin”, por nuk ka bërë asgjë për familjen tonë

Nëse Kryeministri mendon vërtet për Martinin:

  • Pse nuk ka takuar asnjëherë familjen tonë?
  • Pse nuk ka ofruar asnjë mbështetje institucionale?
  • Pse nuk ka kërkuar falje për dështimet e sistemit që ai drejton?

Fjalët nuk mjaftojnë. Ne kemi parë vetëm heshtje, shmangie dhe përdorim politik të tragjedisë sonë.

  1. Pse nuk është blerë pajisja e zemrës që do ta shpëtonte Martinin?

Martini vdiq sepse:

  • Spitali i Traumës nuk kishte kardiokirurg;
  • Spitali i Traumës nuk kishte pajisjen zemër-mushkëri, që riparon zemrën e të plagosurve në zemër.

Kjo pajisje kushton më pak se një makinë qeveritare, por ende nuk është blerë.

Sa fëmijë të tjerë duhet të vdesin që qeveria të kuptojë se pajisjet shpëtojnë jetë, jo kamerat?

  1. Pse Kryeministri nuk kritikoi ministrat që qeshën kur u përmend Martini në Parlament?

Kur u përmend emri i Martinit në Kuvend:

  • Ministrja Manastirliu qeshi;
  • Ministrja Balluku qeshi.

Kryeministri nuk tha asnjë fjalë. Asnjë distancim. Asnjë ndëshkim. Asnjë ndjesë.

A është ky respekti që ai pretendon se ka për djalin tonë?

  1. Policia nuk bëri detyrën – arma e krimit u gjet nga një kalimtar i rastësishëm

Nëse policia do të kishte vepruar siç duhet:

  • Arma e krimit nuk do të gjendej nga një qytetar i rastësishëm;
  • Provat nuk do të rrezikonin të humbnin;
  • Hetimi nuk do të ishte i cunguar.

Kjo është dëshmi e qartë e dështimit të strukturave të rendit.

  1. Kryeministri duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit 18-mujor për shkollën Fan Noli dhe sistemin shëndetësor

Në vend që të politizojë tragjedinë e Martinit:

  • Kryeministri duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit për përgjegjësinë e shkollës Fan Noli, e cila nuk njoftoi prindërit për incidentin e të premtes;
  • Duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit për dështimin spektakolar të sistemit shëndetësor, që e dërgoi Martinin në spitalin e gabuar dhe nuk kishte pajisjet për ta shpëtuar.

18 muaj hetim pa përgjigje është turp institucional.

Ne nuk do të heshtim

Martini nuk ishte slogan politik. Martini nuk ishte pretekst për censurë. Martini nuk ishte justifikim për kamera.

Martini ishte një fëmijë i mirë, një futbollist me ëndrra, një djalë që meritonte të jetonte.

Ne kërkojmë:

  • Drejtësi për Martinin
  • Siguri për fëmijët e Shqipërisë
  • Përgjegjësi nga institucionet
  • Veprime, jo fjalë

Familja Cani Tiranë, 17.07.2026

© Panorama.al

Te lidhura