EMRI+FOTO /Detaje nga atentati në Sarandë, i plagosuri në gjendje të rëndë! Kush është shënjestra, i skeduar për disa vepra penale? 50-vjeçari babai i të riut që dhunoi efektivin Mihal Velço

Jul 17, 2026 | 22:05

Një atentat me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Sarandës, ku ka mbetur i plagosur rëndë 50-vjeçari Thimjo Rubati alias Sandër Rubati.

Thimjo Rubati alias Sander Rubati
Thimjo Rubati alias Sander Rubati

Mësohet se Rubati është transportuar fillimisht me urgjencë në Spitalin e Sarandës në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa më pas është nisur drejt Tiranës, pasi dyshohet se ka marrë tre plumba.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se bëhet fjalë për një atentat të organizuar, pasi 50-vjeçari është qëlluar me armë zjarri nga dy persona të maskuar, të cilët dyshohet se lëviznin me një motomjet në lagjen nr. 4 të Sarandës.

Pas të shtënave, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia ka ngritur pika kontrolli dhe ka blinduar hyrje-daljet e qytetit në përpjekje për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Thimjo Rubati rezulton një person me precedentë të shumtë penalë. Ai është i skeduar më herët për vepra penale që lidhen me trafik klandestinësh, kontrabandë, armëmbajtje pa leje, si dhe trafik të mjeteve motorike.

Detajet e para të hetimit tregojnë se ngjarja ka ndodhur vetëm pak metra larg vendit ku një natë më parë u dhunua oficeri i Policisë Mihal Velço.

Për këtë ngjarje, policia ka shpallur në kërkim djalin e Thimjo Rubatit, Andrea Rubati, 27 vjeç, së bashku me dy persona të tjerë, Antonio Lefteri dhe Engjëll Dalanaj, të tre me precedentë penalë.

© Panorama.al

Te lidhura