Kërcënuan gazetarin Osman Stafa, Policia merr nën procedim 2 personat e akuzuar dhe jep detajet: E kanosën për shkak të detyrës teksa udhëtonin me automjet!

Jul 17, 2026 | 21:48

Policia e Elbasanit njoftoi mbrëmjen e sotme (17 korrik) se ka marrë nën procedim dy persona të dyshuar për kanosjen ndaj gazetarit të televizionit News24, Osman Stafa.

Osman-Stafa

Ishte vetë gazetari që denoncoi se ishte kanosur nga autorët që lëviznin me një makinë për shkak të detyrës në aksin Elbasan-Librazhd.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë, kryen veprimet e para hetimore dhe nisën procedimin penal për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, ndaj shtetasve R. T., 33 vjeç,  banues në Tiranë dhe A. B., 31 vjeç, banues në Librazhd”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Më tej theksohet se:

“Më datë 17.07.2026, rreth orës 14:00, në Sallën Operative të Policisë ka njoftuar shtetasi O. S., gazetar, i cili ka deklaruar se, gjatë lëvizjes në aksin rrugor Librazhd–Elbasan, është ndjerë i kanosur nga dy shtetas që udhëtonin me një automjet”.

Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore dhe administrimit të provave, nisi procedimi penal ndaj dy shtetasve për veprën penale “kanosja për shkak të detyrës”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

 Çfarë ndodhi dhe denoncimi i gazetarit për inertet ne Shkumbin

Gazetari Osman Stafa ka depozituar një kallëzim në Policinë e Elbasanit, pasi u përball me një akt intimidimi menjëherë pas dokumentimit të nxjerrjes së inerteve në lumin Shkumbin.

Sipas Stafës, ai ndodhej në zonë për të verifikuar denoncimet e banorëve lidhur me nxjerrjen e inerteve nga shtrati i lumit. Ai filmoi mjete të rënda që po merrnin zhavor në shtratin e lumit Shkumbin.

Gazetari i News24 thotë se pas përfundimit të filmimeve, një automjet me targë AB489YZ, e ndoqi përgjatë rrugës, i preu rrugën dhe e detyroi të ndalonte.

“Isha duke filmuar një eskavator, i cili nxirrte inerte nga Lumi Shkumbin. Kam regjistruar 20 sekonda video. Pas këtij momenti marr makinën dhe nisem për në Elbasan. Sapo dal në rrugë, një makinë fuoristradë e zezë, më vihet mbrapa dhunshëm, duke ma bërë me drita që unë të ndaloja. Vijoj rrugën. Makina më del në krahun e majtë timin, duke m’u afruar shumë me makinën time. Pas këtij momenti makina më del përpara duke më prerë rrugën. Me makinën time bëj pas disa metra (indietro) dhe i dal nga krahu i djathtë makinës, e vazhdoj rrugën. Jam ndjekur nga ajo makinë për rreth 1 km.”, deklaroi ai.

Për ngjarjen, Stafa ka depozituar kallëzim në Policinë e Elbasanit, duke kërkuar hetimin e plotë të rastit, identifikimin e personave që ndodheshin në automjet dhe administrimin e të gjitha provave. Ndërkohë, gazetari kërkon gjithashtu që institucionet përgjegjëse të verifikojnë ligjshmërinë e aktivitetit të dokumentuar në lumin Shkumbin.

Stafa shton se këto veprime që i ngjajnë akteve mafioze, nuk e trembin.

“Do vijoj me përkushtim detyrën time, punën time dhe nuk i frikësohem askujt. Do të verifikoj çdo denoncim që më vjen nga qytetarët, e do ta publikoj në media. Askush nuk më tremb me këto kërcënime alla mafioze”, përfundoi gazetari Stafa.

osman stafa denoncim elbasan (1)

osman stafa denoncim elbasan (2)

© Panorama.al

Te lidhura