EMRAT/ “Mos kryeni manovra të rrezikshme!” Dhunuan dhe kanosën me thikë oficerin e Policisë në Sarandë, shpallen në kërkim tre autorët e dyshuar

Jul 17, 2026 | 21:47

Policia e Sarandës ka identifikuar tre personat e dyshuar si autorë të dhunimit dhe kanosjes me thikë të një oficeri policie, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në qytetin bregdetar.

policia-sarande-2

Sipas burimeve, në kërkim janë shpallur Andrea Rubati, 27 vjeç, Antonio Lefteri, 30 vjeç dhe Engjëll Dalanaj, 30 vjeç, të tre persona me precedentë penalë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, në lagjen nr. 4, pranë restorantit “Lindi”. Oficeri i Policisë së Komisariatit të Sarandës, Mihal Velço, 32 vjeç, ka njoftuar sallën operative se është sulmuar nga tre persona që lëviznin me motomjete.

Sipas kallëzimit të tij, tre të rinjtë e kanë goditur për shkak të detyrës dhe e kanë kanosur me thikë, pasi e kanë identifikuar si oficer policie dhe ky i fundit u kishte kërkuar të mos kryenin manovra të rrezikshme me motomjetet në qytet. Pas ngjarjes, autorët janë larguar me shpejtësi.

Policia bën me dije se, falë informacioneve të grumbulluara dhe pamjeve filmike të administruara, është bërë i mundur identifikimi i tre autorëve të dyshuar.

Ndërkohë, oficeri Mihal Velço është paraqitur pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ku ka depozituar kallëzim penal në lidhje me ngjarjen.

Gjatë natës dhe ditës së sotme, shërbimet e policisë kanë ushtruar kontrolle në banesat e tre të dyshuarve dhe në adresat ku dyshohej se mund të fshiheshin, si në Sarandë ashtu edhe në fshatin Livadhja, Bashkia Finiq. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk është gjetur.

Burimet zyrtare bëjnë me dije se Andrea Rubati, Antonio Lefteri dhe Engjëll Dalanaj janë shpallur në kërkim dhe dyshohen për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kanosja”, të parashikuara nga nenet 237 dhe 84 të Kodit Penal. Policia vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.

© Panorama.al

Te lidhura