Policia e Sarandës vijon operacionin për identifikimin dhe kapjen e autorëve të atentatit ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati, i cili u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e sotme në lagjen nr. 4 të qytetit.
Sipas informacioneve paraprake, pas sulmit autorët janë larguar me një motomjet nga rruga “Mitat Hoxha”, në drejtim të zonës së varrezave të qytetit, në lagjen e njohur si “Baba Rexhepi”.
Mësohet se pikërisht në këtë zonë autorët kanë humbur gjurmët. Bëhet fjalë për një lagje periferike të Sarandës, pranë së cilës nis edhe një terren i thepisur bregdetar dhe pritet që hetuesit të nisin edhe kontrollet nga deti.
Kujtojmë se Thimjo Rubati alias Sandër Rubati, mbeti i plagosur rëndë pasi u qëllua me armë zjarri para biznesit të tij në lagjen nr. 4 të Sarandës.
Ai raportohet se ka marrë tre plumba dhe, pas marrjes së ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, është nisur me ambulancë drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
© Panorama.al












