Mijëra qytetarë shqiptarë u mblodhën edhe sot në ditën e 12-të të protestës popullore kundër kastës politike dhe pushtetit abuziv.
Ndërsa kërkuan dorëheqjen e qeverisë dhe drejtësi për dy liderët e partive të mëdha, ata hodhën thirrje për qëndresë deri në fund.
Një prej aktivistëve foli edhe për betejat e mbrojtjes së zonave natyrore dhe trashëgimi për vendin që po cenohen. Ai deklaroi se qytetarët kanë momentin më të mirë për t’i bërë BE-së një kartolinë të bukur me trashëgiminë natyrore.
“Nuk është më çështje e Zvërnecit dhe Nartës, është çështja e të drejtës tonë për t’u dëgjuar, e drejta jonë si qytetarë. 12 vite më parë nisëm një betejë për mbrojtjen e Vjosës dhe pas një lufte të gjatë ia arritëm. Por sot ajo luftë e ka emrin Zvërnec, nartë, Rjoll por edhe Vjosë, sepse beteja vazhdon. Ajo është zonë unike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën dhe Botën, është kartolina më e bukur që mund t’i dërgojmë BE, trashëgimia nuk mund të shitet, natyra nuk negociohet, integriteti nuk negociohet”, tha ai.
Më tej ai nënvizoi se kjo kauzë do të fitohej dhe qëndresa do vijonte deri në fund, sepse një protestë që nisi për flamengot tanimë është kthyer në një uragan popullor.
“Jam i bindur se kjo kauzë do fitohet, do e fitojmë së bashku, do mbrojmë krenarinë tonë, nuk do lodhemi, nuk do ndalemi, kjo është beteja e fundit për të mbrojtur natyrën dhe trashëgiminë natyrore, protesta dhe beteja ndan dy botë. Filloi si protestë e flamengove, por tani është bërë një uragan popullor e shqiponjash dhe nuk do të ndalemi” përfundoi ai.
© Panorama.al















