Mijëra qytetarë shqiptarë janë mbledhur përsëri sot në ditën e 12-të të protestës mbarëkombëtare kundër politikës së vjetër, qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Një prej të rejave aktiviste që mori fjalën gjatë protestës tha nga podiumi edhe arsyet se përse po protestonte së bashku me shumë të rinj të tjerë.
Ndërsa aktivistja Sidorela Vatnikaj në fjalën e saj në podiumin para Kryeministrisë deklaroi se ajo është në këtë protestë për një Shqipëri dhe drejtësi të re.
Ajo denoncoi kryeministrin se ka thirrur nesër për 35-vjetorin e PS-së një antimiting pak metra më tej në sheshin “Nënë Tereza” në orarin që mbahet edhe protesta në bulevard. Ndërsa i ftoi edhe punonjësit e administratës që ta braktisnin atë miting dhe të bashkoheshin në sheshin e protestës.
“Do ta bëjmë Shqipërinë së bashkë. Për 12 ditë kemi treguar të kundërtën. Klasa e vjetër politike na e ka sjellë në majë të hundës dhe duhet të dorëhiqen. Teksa këtu zhvillohet një protestë prej 12 ditësh, Rama nxjerr lloj-lloj agjentësh këtu, ndërkohë që nesër ka shpallur një antimiting me detyrime njerëzit e tij. Ju lutemi mos bini pjesë e provokimeve dhe i ftojmë edhe ata atje që të na bashkohen, të gjithë ata që shantazhohen për bukën e gojës”, u shpreh ajo.
Më tej renditi vështirësitë që hasin qytetarët në Shqipëri, që nga nevojat sociale, ekonomike dhe ato shëndetësore.
“Për të pasur një punë në shet duhet të jesh idiot funksional dhe jo njerëz që shkolluar. Jemi këtu për një Shqipëri të re, se po të sëmuresh duhet të hapësh një Gofundme sepse nuk ka ilaçe. Jam këtu për të gjithë ata të rinj shqiptarë që kanë ikur, për të gjithë ata miq e shok të mi”, vijoi aktivistja.
Në fund ajo i bëri thirrje drejtësisë së re tek e cila besonte, që të hetonte kryeministrin Edi Rama dhe vartësit e tij të korruptuar.
“Jam këtu për një drejtësi të re, SPAK të marrë nën hetim kryeministrin Edi Rama për korrupsionin që ka bërë Erion Veliaj, korrupsioni që ka bërë Belinda Balluku dhe Arben Ahmetajt. Ata kanë bërë korrupsion jo vetëm për veten, por edhe për Ramën. Jemi këtu për të kërkuar hetim, hetim, hetim. Për jetën tonë nuk vendosin 5 oligarkë, as për malet dhe plazhet tona, Shqipëria është e jona, Shqipërinë e re do e bëjmë të gjithë ne”, përfundoi ajo.
© Panorama.al
















