Panorama Online ka siguruar pamjet nga momenti i arrestimit të 58-vjeçarit Bardhyl Fusha, i cili tentoi të grabiste me kallashnikov bankën e nivelit të dytë, “Fibank”, në Rrugën e Kavajës në Tiranë.
Siç shihet edhe nga pamjet, njëri prej efektivëve është duke e prangosur, ndërsa një tjetër, pak metra më tutje, me armë në dorë e ruan për të mos u larguar.
Sipas policisë, mësohet se Bardhyl Fusha ka qëlluar një herë me armë në dysheme, pasi në vendngjarje është gjetur 1 gëzhojë dhe arma tip kallashnikov. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar.

Gazetarja Xhensila Kodra raporton se autori është futur me një çantë në filialin e FiBank ku brenda saj kishte kallashin. Sapo ka hyrë brenda ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar një herë në tokë.
Menjëherë te arka Bardhyl Fusha ka arritur që të marrë rreth 20 milionë lekë të vjetra. Ka qenë një qytetar që ka lajmëruar policinë e cila ka qenë shumë afër dhe sapo ka mbërritur, ka kapur autorin duke dalë nga dera e bankës.
Menjëherë 58-vjeçarit i është sekuestruar çanta e krahut. ku brenda saj janë gjetur lekët dhe një çantë ku u gjet arma e zjarrit.
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 11:15, në Rrugën e Kavajës, shtetasi B. F., rreth 58 vjeç, dyshohet se ka hyrë në ambientet e një banke, me qëllim vjedhjen e saj, duke qëlluar me armë zjarri, në dysheme. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar.
Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe kanë bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar në tentativë për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Autori i dyshuar është shoqëruar në Komisariat. Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit.
Në përfundim të veprimeve hetimore do të jepet informacion më i plotë për rastin.
© Panorama.al











