Deputeti i PD, Sajmir Korreshi, ka denoncuar edhe një herë tjetër para mediave në spitalin e Lushnjës, kushtet tejet problematike në këtë spital.
Mungesa e aparaturave, ulja e buxhetit nga 207 milionë lekë në 2025, në 92 milionë këtë vit (të reja), lëvizja prej 6 muajsh e urgjencës dhe vendosja në katin e parë të maternitetit, në kushte ku shumica e pacientëve marrin shërbim në korridor, si dhe probleme të tjera.
“Sot situata është dramatike. Pamjet flasin vetë le të vijnë ta shikojnë. E para duhet ndryshuar statusi nga bashkiak në rajonal. Të ketë më shumë investime, buxhet. Ka diferencë prej 150 mln lekësh. Edhe analizat ia kanë dhënë privatit, janë duke e bastarduar qytetin. Nuk ka as medikamente, ky ka qenë spital i jashtëzakonshëm, kanë ardhur nga të gjitha zonat këtu, janë 250 mijë njerëz, por sot që flasim ne nuk ka asnjë pajisje që punon. Mamografia gjithmonë e prishur, skaneri po ashtu, aparaturat që ka urgjenca, madje çfarë bie jashtë hyn brenda, mos o Zot ndodh diçka, madje edhe ekon e ka financuar një bankë. Edhe te Gjinekologjia nuk ka aparatura, po të flasësh me gjinekologët atje mëson se çfarë ndodh, nuk po flas më për kushtet që janë dramatike, jo vetëm mjetet që mungojnë. Spitalet private rruajnë lekët e shqiptarëve, ju e dini të gjithë pacientët e Lushnjës shkojnë për analiza në Tiranë”, u shpreh ai.
Korreshi solli në vëmendje se spitali i Lushnjës u shërben 250 mijë banorëve jo vetëm të Lushnjës e Divjakës, por edhe zonave të Belshit, Rrogozhinës dhe Peqinit.
Ai u bëri thirrje edhe kolegëve deputetë, të majtë e të djathtë, që të kthenin vëmendjen nga Lushnja. Korreshi bëri përgjegjëse edhe ish-ministren e pezulluar Belinda Balluku dhe ministrin e Financave, petrit Malaj, si deputetë të zonës, që e kanë lënë pas dore me buxhet qytetin dhe spitalin.
“Ndaj ju bëj thirrje ministrave dhe kolegëve të mi, edhe të majtë, që të vijnë të ndihmojnë e ndërhyjnë, të bashkohemi q të ketë shërbim cilësor. Ky është problem strukture dhe infrastrukture. Godina këtu e rikonstruktuar, por ende pa leje ndërtimi, e imagjinoni çfarë kushtesh janë këtu. Ne kemi deputet këtu, jabanxhi quhet ai, si ministri i Financave, ne e kemi bërë mbret atë, ai është përgjegjësi kryesor, të sjellë buxhetin. Edhe Belinda, të dy bashkë, kanë marrë votat, duhet të sjellin buxhetin dhe statusin rajonal. Edhe ajo është deputete e qarkut këtu, ndaj i bëj thirrje që të ndërhyjnë dhe të ndihmojnë”, vijoi ligjvënësi opozitar.
Në fund ai shpjegoi edhe gjendjen katastrofike të godinave, veçanërisht për njërën në rikonstruksion. Korreshi ironizoi edhe deklaratat e deputetëve socialistë (Ulsi Manjës), që mburren me Lushnjën për prodhimtarinë e saj dhe që i sjell buxhetit shqiptar 500 mln euro, por nga ana tjetër i ulin buxhetin e shëndetësisë dhe e lënë pa spital rajonal.
“Godina e degraduar, 2 javë për të pastruar fekalet, dyshekë, çarçafë, llumi deri në qafë. Ndaj të veprojnë se ku vjen puna mburren me 500 milionë euro të Lushnjës për bujqësinë”, përfundoi ai.
© Panorama.al













