VIDEO/ “Jemi bërë frymëzim për të gjithë botën”- Mijëra protestues në shesh, aktivisti: Kërkesa jonë vetëm një, Rama jep dorëheqjen! Qetësia jonë i ka çmendur politikanët

Jun 13, 2026 | 18:17

Mijëra shqiptarë janë mbledhur edhe sot në ditën e 14-të të protestës kombëtare kundër klasës së vjetër politike, qeverisë dhe ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Ndërsa me thirrjet “Berisha në burg, Rama në burg” dhe “Revolucion” ata u mblodhën si zakonisht në sheshin “Skënderbej”.

Një nga aktivistët që organizon çdo natë këtë miting tha në megafon se kishin ardhur nga të 7 kontinentet e botës për të mbështetur protestën dhe se ajo ishte bërë frymëzim botëror.

“Kërkesa jonë është vetëm një, dorëheqje dhe vetëm dorëheqje. Mos u provokoni, ruani qetësinë ju lutem, sepse ju them se qetësia juaj po i çmend politikanët. Është historike për shqiptarët dita e sotme, pse? Sepse janë mobilizuar të gjithë shqiptarët nga 7 kontinente për të rrëzuar sistemin politik dhe qeverinë shqiptare”, tha ai mes të tjerash.

aktivisti3

Ndërsa shtoi se ftonte edhe ata shqiptarë që vuanin nga sindroma e Ramës dhe Berishës që të bashkoheshin me qytetarët.

“I them të gjithë shqiptarëve që vuajnë nga sindroma e Stokholmit, nga sindroma ramiste dhe berishiste, që të shkëputen nga ajo. A e kuptoni se jemi bërë frymëzim për mbarë botën, o popull?!”, deklaroi ai.

Protestuesit kanë nisur grumbullimin në sheshin “Skënderbej” për protestën mbarëkombëtare, e cila ka hyrë në ditën e 14 të saj. Protestuesit nën thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Rama jepe dorëheqjen” pritet që më pas të marshojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

protesta1

Një e veçantë e protestës së sotme është prania e lartë e diasporës pasi është njoftuar se do të jetë një protestë masive dhe me një numër më të lartë protestuesish.

Nuk munguan edhe thirrjet “O Edvin, o legen, prite popullin se po vjen”.

protesta4

Prej gati dy javësh protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kreut të ekzekutivit, Edi Rama dhe të gjithë kabinetit, po ashtu arrestimit të tij, Ballukut dhe kreut të opozitës, Sali Berisha.

aktivisti

© Panorama.al

Te lidhura