ALBINOT MALOKU
Kriza institucionale në Kosovë, me të gjitha variacionet e saj, e ka amortizuar, penguar, e bllokuar funksionimin normal të skenës politike që nga 9 shkurti 2025. Gjithçka kulmoi me zgjedhjet e 7 qershorit 2026, si një mekanizëm i fundi i shpëtimit, por në anën tjetër ka shkaktuar pasoja serioze politike, ekonomike dhe diplomatike për vendin.
Në thelb të problemit qëndron mungesa e vullnetit politik për kompromis dhe paaftësia për ta njohur e pranuar realitetin politik, sipas të cilit: Kosova është një demokraci parlamentare, ku marrëveshjet ndërmjet forcave politike janë të domosdoshme për funksionimin e institucioneve. Në skenën politike të Kosovës prej dekadash ekziston një figurë politike si Albin Kurti, i cili dialogun dhe debatin politik, deri më tani, e ka kuptuar ekskluzivisht si përballje, e jo si rrugë drejt mirëkuptimit të ndërsjellë dhe arritjes së marrëveshjeve. Kundrejt tij qëndrojnë figura tjera që nuk kanë aq pjekuri politike, të paktën, sa për të mos ia adresuar kritikat me tone konspirative, ndonëse bëhet fjalë për fakte.
Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit 2026 përbën një test të rëndësishëm për të gjithë spektrin politik. Si subjekti i parë, Lëvizja Vetëvendosje ka privilegjin dhe përgjegjësinë kryesore për fillimin e menjëhershëm të negociatave me partitë tjera parlamentare për formimin e institucioneve të reja. Në këtë drejtim, Partia Demokratike e Kosovës ka sinjalizuar gatishmëri për dialog, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk ka “vija të kuqe”, megjithëse vazhdon ta mbështesë kandidaturën e Vjosa Osmanit, ish shefe e shtetit, për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pas ndryshimeve në udhëheqje dhe në emër, mund të paraqitet si një “lojtar i përditësuar” e i rëndësishëm, në procesin e krijimit të shumicës së re parlamentare. Ndryshe nga paraqitjet e mëhershme, Albin Kurti, në fjalimin e tij pas zgjedhjeve përdori një ton më të moderuar dhe shprehu gatishmëri për bashkëpunim me oponentët politikë. Edhe pse historia e marrëdhënieve të tij me partitë e tjera nuk krijon nivel të lartë besimi, ky ndryshim i qasjes mund të paraqesë një mundësi reale për tejkalimin e ngërçit institucional.
Megjithatë, kompromiset do të jenë të pashmangshme. Në sistemin parlamentar të Kosovës, e vetmja pozitë që i takon automatikisht subjektit më të madh është posti i Kryetarit të Kuvendit. Të gjitha funksionet e tjera institucionale mbeten objekt negociatash politike dhe marrëveshjesh ndërpartiake. Në thelb, narrativa se zgjedhjet e 7 qershorit 2026 janë mbajtur për shkak të çështjes së presidentit, nuk është e vërtetë. Arsyeja e vërtetë ishte mungesa e plotë e vullnetit politik për të arritur një marrëveshje qysh para formimit të qeverisë që doli pas zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Fakt është se Vetëvendosje kishte forcë të mjaftueshme për t’i formuar vetë institucionet, përveç zgjedhjes së presidentit, që në rrethana të reja kërkonte domosdo marrëveshje politike me ndonjë subjekt më të madh shqiptar.
Megjithatë, Albin Kurti, nuk zhvilloi bisedime para formimit të kabinetit të ri qeveritar, për shkak të bindjes se, numri i mandateve që posedonte ia garantonte dominim politik dhe ia mundësonte formimin e institucioneve, pa nevojën e një marrëveshjeje më të gjerë politike. Negociatat duhej të kishin filluar edhe para formimit të institucioneve të reja, në mënyrë që vendi të mos shkonte në zgjedhje të parakohshme, e njëkohësisht, çështja e presidentit të shtetit, të ishte tejkaluar si problem. Por marrëveshje politike nuk pati, prandaj ishte e qartë se vendi nuk po ia dilte t’i shmangte zgjedhjet e parakohshme. Vjosa Osmani nuk e kishte të garantuar mbështetjen e subjekteve të tjera politike, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, edhe sikur ta dëshironte këtë, nuk i kishte votat e mjaftueshme për ta rizgjedhur në postin e shumëdëshiruar.
Po të kishte ekzistuar një marrëveshje, edhe çështja e kreut të shtetit do të ishte zgjidhur pa mëdyshje. Vjosa Osmani ka pas vetes mjaft “mëkate” politike dhe veprime të udhëhequra nga interesat personale e egoiste, të cilat nuk ia garantojnë një perspektivë të qetë politike, të paktën jo ashtu siç e gëzonte më parë. Në këtë kontekst, edhe pozita politike e ish Presidentes Vjosa Osmani ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me vitet e mëhershme. Një tjetër element që vazhdon të mbetet problematik është: situata brenda spektrit politik serb në Kosovë. Dominimi i Listës Serbe, e cila vijon të mbështetet fuqishëm nga Serbia, ka kufizuar zhvillimin e pluralizmit politik brenda komunitetit.
Mungesa e konkurrencës reale politike dhe presionet ndaj votuesve serbë kanë krijuar një ambient ku demokracia e brendshme mbetet e vobektë. Njëkohësisht, shumica e partive shqiptare, sidomos për shkak të lidhjeve që i atribuohen figurave të këtij subjekti me agresionin terrorist në Banjskë, vazhdojnë të refuzojnë bashkëpunimin me të. Pasojat e krizës institucionale tashmë janë të dukshme. Përveç bllokimit të proceseve vendimmarrëse, vendi është përballur me pasoja ekonomike, ngadalësim të reformave dhe dobësim të perspektivës evropiane. Në mënyrë paradoksale, situata ka krijuar edhe një hapësirë komode për Bashkimin Evropian që të shtyjë trajtimin e çështjeve të integrimit evropian të Kosovës, duke iu referuar vazhdimisht mungesës së stabilitetit institucional në vend.
Prandaj, sfida kryesore pas zgjedhjeve të 7 qershorit nuk është vetëm formimi i qeverisë së re, por krijimi i një kulture të re politike të bazuar në dialog, kompromis dhe përgjegjësi institucionale. Vetëm përmes një marrëveshjeje të gjerë politike Kosova mund të dalë nga cikli i krizave të përsëritura dhe të rikthejë fokusin tek zhvillimi ekonomik, forcimi i demokracisë dhe integrimi evropian. “Loja” është e hapur për të gjithë akterët politikë, ndonëse përvoja na shtynë të mbesim skeptikë.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












