Letër e hapur drejtuar Kryeministrit Edi Rama

Jun 13, 2026 | 15:05

ARBEN GJONI

rama edi

Përshëndetje zoti kryeministër, unë quhem Arben Gjoni, emigrant në Itali prej 30 vitesh, por që kam 13 vjet që kam investuar mbi profesionin tim në Shqipëri si mjek Natyropat. Pra, punoj në Tiranë prej 13 vitesh duke iu shërbyer qytetarëve për problemet e tyre shëndetësore. Ajo që do t’ju them është tërësisht në titullin tim personal dhe aspak i inkurajuar apo diktuar nga dikush. Pra, nuk flas në emër të askujt, përveç emrit dhe mbiemrit tim. E ndjej më shumë si një detyrim qytetar dhe intelektual. Në jetën time kam qenë dhe jam gjithmonë një vëzhgues shumë i kujdesshëm i asaj se çfarë ndodh rreth meje dhe më gjerë në të gjitha aspektet. Kam qenë i pranishëm dhe pjesëmarrës në hapjen e ambasadave, në eksodin detar, në lëvizjen studentore, në rrëzimin e bustit, ndërsa në zgjedhjet e para pluraliste isha nënkryetar në qendrën zgjedhore të Xhomllikut si përfaqësues i një partie të djathtë. Nga zhgënjimi i shpejtë i demokracisë në vitin 1994 hipa në një gomone dhe u largova për në Itali ku edhe ndërtova jetën time personale, profesionale dhe familjare.

Më vjen shumë keq që sot jam akoma vëzhgues dhe pjesëmarrës në të njëjtin film, por që paska shumë seri si ato telenovelat që edhe kur kanë vdekur aktorët kryesorë vazhdojnë të jetojnë dhe shfaqen për popullin e mjeruar me aktorë të rinj, por në rolet e vjetra të atyre që kanë vdekur.

Demokracia e sotme kudo që aplikohet është një gënjeshtër e madhe, sepse ajo zgjat vetëm 4 minuta në 4 vjet. Pra qytetari hyn në një qendër votimi me gjithë pushtetin e tij voton dhe del nga qendra pa asnjë lloj pushteti del lakuriq sepse ja ka deleguar dikujt të gjithë pushtetin e tij me qëllimin e vetëm që t’i shërbej atij, pra popullit. Ndërsa ai që merr këtë pushtet ndjehet pronar i gjithë Shqipërisë i detit dhe i tokës, i qiellit dhe i ujit. Në këto 4 vjet ai mund të bëjë çfarëdo lloj ligji për interes të vetë ose të grupimit që përfaqëson në emër të popullit, por që shpesh janë kundër vetë popullit që e votoj. Madje bën ligje të fshehura edhe kundër vetë popullit të tij. Kjo ndodh sepse deputetët nuk janë përfaqësues të popullit por të partisë madje akoma më keq me listat e mbyllura janë shokë, miq, të afërm të kryetarit të partisë. Dmth., Kuvendi i Shqipërisë është kthyer në një lëmsh miqësie, shoqërie, biznesi, e klounësh cirku.

Pyetja është kjo: A ka ky popull ndonjë institucion të tijin që ta kontrolloj apo ta ndaloj apo t’ia heqë votëbesimin atij kur bën zullume. Me sa di unë, nuk ka i duhet të presë 4 vjet që të bëhen zgjedhjet dhe t’ia japi dikujt tjetër votëbesimin me shpresë se do jetë më i mirë se i pari.

Prandaj popullit i ngelet vetëm rruga dhe sheshet. Sepse nuk do që të presë 4 vjet.

Nuk dua ta zgjas më shumë, por dua t’ju sugjeroj se ç’farë pret populli që të bëni ju meqë keni edhe shumicën e deputetëve në parlament.

1/ Të ndryshoni ligjin për shoqërinë civile ku ti lihet në dorë popullit të vetorganizojë shoqërinë civile dhe vetëmenaxhojë buxhetin e saj. Të shkrihet KKSHC.

2/Presidenti të zgjidhet nga populli dhe jo më shumë se 2 mandate. Gjithashtu, t’i shtohen edhe disa të drejta.

3/Kryeministri të mos zgjidhet më shumë se dy herë gjatë jetës.

4/Deputetët të mos zgjidhen më shumë se 2 herë gjatë jetës.

5/Të mbyllet seanca nëse nuk ka më shumë se 50% të deputetëve të pranishëm.

6/Të humbasë mandatin e deputetit nëse plotëson 50 orë mungesa në parlament brenda një viti. Pa arsye shëndetësore.

7/Të mos marrë rrogë plus kur është pjesë e komisioneve parlamentare.

8/Pelivanët që kalojnë nga një llogore në tjetrën t’ju hiqet mandati.

9/Të lehtësohen procedurat për kandidatët e pavarur si në zgjedhjet vendore ashtu edhe në ato kuvendore.

10/Të lehtësohen procedurat për referendumet. Verdikti i popullit nuk duhet të diskutohet nga presidenti ose parlamenti por vetëm të aprovohet. Askush nuk është mbi sovranin.

11/Të eliminohet ligji i listave të mbyllura për deputet, të gjithë të shkojnë për votim personalisht para popullit.

12/Të mos ketë koalicione parazgjedhore. Por vetëm paszgjedhore.

13/T’i hiqet njohja juridike një partie që nuk ka anëtarë, nuk kryen zgjedhje dhe nuk funksionon sipas statutit dhe ligjeve në Republikën e Shqipërisë.

14/Pushimi i përkohshëm i disa ligjeve. Si “Paketa e Maleve’, investitori strategjik, “Shqipëria 1 euro” etj… ky vendim të bëhet me referendum.

15/Të mos jepen koncesione me afat më të madh se afati qeverisës pa konsensus parlamentar. Me konsensus parlamentar jo më shume se 8 vjet.

16/Të hiqet neni që deputeti nuk mban përgjegjësi personale për ato që thotë në parlament. Por të jetë e kundërta.

17/Të hiqet neni që presidenti dhe kryeministri nuk mban përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet gjatë mandatit. Por të jetë e kundërta.

18/Përpara se një projekt madhor t’i jepet një të huaji t’ju kërkohet shqiptarëve të bëhen aksioner në atë projekt me rregulla të paracaktuara.

19/Toka shtet është tokë e popullit jo e qeverisë dhe përpara se ta shesë apo ta japë në përdorim tek një i huaj t’’ju kërkohet shqiptarëve të bëhen aksioner në atë tokë me rregulla të paracaktuara. Toka nuk duhet t’ju shitet të huajve por të jepet në përdorim.

20/Të gjitha asetet shtetërore janë asete të popullit shqiptar jo të qeverisë dhe për çdo shitblerje apo qira në fillim do t’i drejtohet popullit me formulën e mësipërme ose me referendum.

21/Ligjet që prekin thelbin e shoqërisë shqiptare si familja, apo fëmijët, apo vaksinimi me forcë, apo heqja e monedhës fizike, etj.. duhet të kalojnë në referendum.

22/ Përpara se një biznes të kërkojë fuqi punëtore nga jashtë duhet ta shoqërojë kërkesën me një vendim të zyrës së të papunëve që nuk ka asnjë punëtor të gatshëm në atë profesion në të gjithë shqipërinë. Madje të kërkohet edhe në diasporë.

23/Ai që zgjidhet si kryeministër i shqiptarëve ose si deputet duhet të zhvishet nga të gjitha rolet që ka në parti apo si drejtues i një biznesi privat. Nuk mbahen dot 2/ 3 kunguj nën sqetull.

24/Deputeti duhet të ketë mbaruar patjetër një shkollë të lartë dhe të jetë i diplomuar (duhet të jetë jo më i vogël se 35 vjeç dhe jo më i madh se 75 vjeç).

25/Kryeministri dhe Presidenti duhet të jetë jo më i vogël se 40 vjeç dhe jo më i madh se 75 vjeç.

26/Ai që zgjidhet drejtues i një bashkie i një qeverie, ministër apo deputet duhet të lërë dyshtetësinë. Të mbajë vetëm atë shqiptare.

27/Të gjithë ata që pretendojnë të bëhen deputet ministra, kryeministra, kryetar bashkish duhet të paraqesin testin e alkoolit, të drogës, të shëndetit fizik dhe mendor dhe të jenë nga 35 deri 65 vjeç.

28/Ministrat duhet të jenë profesionist të asaj fushe ku janë emëruar.

29/Të rifutet neni për tradhti kombëtare. Zoti kryeministër, ka edhe pika të tjera, por besoj që këto janë ato më të rëndësishme për momentin. Nëse doni arsyetime për çdo pike gati jam për hollësitë e mëtejshme. Duke ju uruar shëndet, shpresoj në mirëkuptimin tuaj.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura