3-P, Presidenti vs protestë

Jun 13, 2026 | 15:26

BEN ANDONI

ben-andoni

Presidenti Bajram Begaj është institucioni më i imunizuar nga protesta e 12 ditëve të fundit. Ai, vetë, me tagrin zyrtar nuk ka ndërhyrë, kurse në këto ditë mbushur me kaq shumë entuziazëm, pathos, kritika, ofendime, ai pothuaj është harruar. Si ai vetë, ashtu edhe protestuesit, por e gjithë shoqëria gjendet përballë një fakti të dhimbshëm. Sot, në Shqipëri mungon një autoritet moral që të shprehej, apo t’i drejtoheshim në besim të plotë. Figura publike të madhësisë, respektit por edhe të nderit ndërkombëtar si Kadare, nuk kemi. Religjioni, me gjithë nderimin, nuk e bën dot këtë rol! Përjashtohet pakëz një figurë e re e filozofisë politike, studiuesja Lea Ypi, botimet, shkrimet e të cilës po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare.

Por edhe për të, xhelozia që ka krijuar, e kufizon shumë impaktin e saj. Kurse, Akademia e Shkencave prej moteve nuk e bën dot sepse gjendet në një pozitë, ku i intereson ta mbajë mirë me Legjislativin, paçka se kryetari Gjinushi zgjidhet nga presidenti. Ky i fundit, megjithë, profilin modest që mban, është tejet larg asaj që presin shqiptarët. Në fakt, Presidenti Begaj ka të drejtë të mbrohet, sidomos pas dështimit të Ligjit Organik për presidentin, duke u mbështetur te funksionimi dhe kompetencat e institucionit, në ato që shkruhen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si dhe nga ligjet ekzistuese procedurale.

Veçse në nenin 86, që mund të ishte një preambulë për Ligjin Organik për të, parashtrohet qartë: Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit. Në këto ditë, ky rol është më shumë se motiv, përbën detyrim, para një parlamenti leksiku dhe ofendimet e të cilit janë të pafre. Dhe, në këtë moment, kur protesta po rritet nga dita në ditë si pjesëmarrje dhe duket se ende nuk është afër shfaqja politike e protestuesve (nëse do të ketë) shteti ka nevojë për një negociator me tagër. Më qartë se kaq nuk thuhet.

Presidenti duhet të ndërhyjë, si njohës, si negociator dhe mbi të gjitha si simbolika e Unitetit. Ka të gjithë tagrin zyrtar, e para për t’i shërbyer Ligjit që i jep atributet për ta bërë (qoftë edhe vagullt) dhe e dyta si nevojë e këtij momenti. Pas kapërcyellit të viteve ’90, kurrë vendi nuk ka pasur ndonjë angazhim të tillë publik të shqiptarëve, por edhe një paqartësi të tillë, për mënyrën sesi do të kanalizohet e gjitha kjo energji proteste, ashtu si edhe për një mundësi në të ardhmen që publiku të dëgjohet direkt nga presidenti i vet. Faktikisht dhe shqetësueshmërisht, shkëlqesia e tij Begaj, është “kursyer” nga protestuesit nga kritikat dhe memet, por frikshmërisht është “harruar”.

Është e qartë se në raste të tilla, strukturat e tij, mund të thonë se institucioni i presidentit, konform Ligjit 92, nënparagrafin H, ka ushtruar të drejtën e vet në qasje me institucionet. Për publikun, ky nënparagraf thotë: (Presidenti) “kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre”. Fakti sesi kanë rrjedhur ngjarjet, duket se shumë gjëra mungojnë nga institucionet dhe këtë e kupton, për paqartësinë, lidhur me Pronat në Zvërnec; Ligjin e Zonave të Mbrojtura; atë për Investimet Strategjike dhe sidomos të gjithë historinë e investimit të Jared Kushner.

Dhe kur mungojnë reagimet e duhura të institucioneve nuk kanë se çfarë t’i referojnë presidentit. Në më të keqen, do të duhej të bënin reagime (përjashtohet policia me masat e marra dhe licencat e hequra), në më të mirën, Presidenti do të duhej të kërkonte llogari. Aktualisht, peshën e përgjegjësisë po e mban Kryeministri Rama, madje edhe mallkimin e turmës në protestë, e cila si parullë kryesore ka: “Rama, ik”. Për të mos e lënë të qetë, i kanë shtuar edhe emrin e z. Berisha, duke e rimuar me të: “Rama, ik; Berisha, ik”. Nëse z. Rama po përballet me një tension aspak normal me të dhe humbjen e madhe të qetësisë, strukturat e tjera të kryeministrit janë të ngulfatura dhe këtë e kupton me të gjithë historinë e Zonave të Mbrojtura dhe shumë gjëra të tjera, ku zyrtarët kanë treguar konfuzion për sa i përket investimit, por mbi të gjitha kaosit të pronave në Vlorë.

Në këtë rast, të vjen ndërmend një thënie e presidentit të njohur Ruzvelt për zyrtarët që në momentet e vështira dhe konfuze heshtojnë: “Patriotizëm do të thotë të qëndrosh pranë vendit të duhur. Nuk do të thotë të qëndrosh thjesht pranë presidentit ose ndonjë zyrtari tjetër publik”. Ky duhet të jetë një nga shqetësimet më të mëdha sot të Ramës, por edhe publikut që po mbushin sheshin në një solidaritet, i cili jo thjesht meriton vëmendje, por edhe interpretim social, antropologjik dhe mbi të gjitha politik.

Koha do të na tregojë edhe sesa efikase kanë qenë ndikimet e huaja. Zyrtarët flasin për ndërhyrje greke (Të mendosh në javët e fundit ka pasur gjithë ato takime të niveleve të larta greko-shqiptare); Rama ka akuzuar direkt Iranin, por më parë ishin dhe serbët dhe të tjera. Sot, në këtë amulli, përgjegjësia mungon nga të gjithë. Nga protestuesit që e projektojnë si përgjegjësi kombëtare përmes sloganeve të tilla si “Shqipëria e re”, “Revolucion” etj.

Nga Ekzekutivi që po i përçmon, z Rama merret me influencerat, ndërkohë që protesta rritet, ndërkohë që pushteti i tij i përdor shpesh ata për sukseset e pamata dhe mbi të gjitha nga heshtja e presidentit të vendit. Është e vërtetë se presidentët në shumicën e vendeve të Ballkanit janë strukturalisht të dobët, e para sepse veprojnë brenda republikave parlamentare. Ndaj, pushteti i Ramës tek ne dhe ai i Kurtit në Kosovë është gjithnjë e më i madh (Edhe pse në Kosovë, presidenti gjithsesi ka atribute në politikën e jashtme, që Vjosa Osmani i përdori jo pa sukses). Dihet se tek ne presidenti shërben kryesisht si kryetar shteti ceremonial dhe jo si drejtues politik.

Kjo e bën, z. Begaj të jetë tejet larg dhe jo aktiv për publikun e gjerë. Në fakt, ky lloj sistemi është shumë familjar në Ballkan dhe shtrihet edhe në Greqi, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bullgaria dhe presidenca e Bosnjës dhe Hercegovinës që përdorin sisteme ku parlamenti zgjedh qeverinë. Kryeministri drejton politikën e brendshme, kontrollon buxhetin dhe komandon shumicën legjislative. Ka ndodhur që disa presidentë të Ballkanit kanë vonuar legjislacionin duke i dërguar projektligjet përsëri në parlament për rishqyrtim, por ata nuk mund t’i bllokojnë ato përgjithmonë. Një shumicë e thjeshtë parlamentare zakonisht mund të anashkalojë një veto presidenciale. Dhe, rasti me ish-presidentin Meta na mësoi shumë me këtë rast.

Në argumentin tonë, nëse presidenti Begaj do të dilte dhe t’i jepte vetes më shumë hapësirë në moralin politik, të cilin ia njeh tagri, do të kishte mirëkuptim; ndërkohë që patjetër do të përplasej me Ramën (e vetmja gjë që nuk merr me mënd kryeministri). Por, Shqipëria është mbi të gjitha dhe vjen një moment, kur vërtetë roli i tij duhet. Mijëra protestuesit tashmë kanë treguar se e vetmja gjë që mungon mes 3P: P (presidentit) dhe P (Protestuesve) është P e madhe që quhet përgjegjësi.

Edhe këtu e kemi një paradoks sepse maxhoranca e propozoi një Ligj Organik për Presidentin, por Opozita në vazhdën e bllokimit të çdo gjëje gjeti një justifikim se Presidenti mund të kalonte balancën dhe u bllokua gjithçka. Ja ku jemi sot, kur na duhet një autoritet moral dhe Presidenti heshton, Ligji e justifikon, ndërsa morali e kërkon. Duhet një negociator, pra, për lumin e shqiptarëve të sheshit. Historiani Timothy Snyder, në librin e tij “Mbi Tiraninë: Njëzet Mësime nga Shekulli i Njëzetë “(Shtëpia e Librit, përktheu Gj,. Erebara) në një nga leksionet e tij shprehet:

“Historia na lejon të jemi përgjegjës: jo për gjithçka, por për diçka… Historia na jep shoqërinë e atyre që kanë bërë dhe vuajtur më shumë se ne”. Mësim që duhet respektuar, të paktën nga presidenti Begaj, njeriu që e përfaqëson tagrin e shtetit.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura