VIDEO/ “Do të përmbysim dhe zvarrisim, si paraardhësit e tu!”- Berisha mesazh Ramës: Në Bruksel i nxorën kartonin e zi, në Mynih i përplasën derën në fytyrë! Po ndryshon ligjin që të mbrojë vjedhjet, por…

Feb 16, 2026 | 18:57

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot nga podiumi i Foltores së radhës para Kryeministrisë, se Edi Rama dhe qeveria e tij i ka ditët e numëruara, pasi Brukseli i nxori kartonin e zi, Mynihu i përplasi derën në fytyrë, kurse tani po përpiqet të ndryshojë ligjin për të mbrojtur vjedhjet me pushtet.

Ai ndau mesazhin duke bërë analogjinë me 35 vite më parë, teksa kujtoi se ashtu sikurse zvarritën dhe përmbysën paraardhësit e kryeministrit, diktaturën e babait dhe dajës së tij, ashtu opozita do përmbysë me kryengritje paqësore edhe Edi Ramën.

Ai vuri në dukje edhe jehonën që mediat ndërkombëtare i kanë bërë protestës së 10 shkurtit të opozitës dhe raportimeve të ndryshme në zërin e opozitarëve.

“Miq, sa herë që mendojmë, për misionin e ri të përmbysjes së diktaturës së re, është vendimi i jetës tonë, më i drejti që kemi marrë ndonjëherë. Rezultatet janë shumë impresive. Sonte ju jap lajmin se agjencitë më të mëdha të botës kanë dhënë zërin e tyre, vendimin e Edi Ramës për të mbrojtur organizatën e tij kriminale nga vjedhjet, ligji dhe drejtësia. Kanë dhënë zërin e opozitës shqiptare dhe unë mund t’ju them se në Evropë dhe Botë kanë dhënë zërin e opozitarëve shqiptar”, tha Berisha.

berisha1

Më tej kreu i selisë blu u shpreh se Rama ka shkuar në Kosovë si armiku i shqiptarëve dhe se opozitarët e nxorën lakuriq në vjedhjet e tij. Por tani as Brukseli dhe as Evropa nuk e do më narkoregjimin.

“Ja iku është Rama, shkon në Kosovë si armik i egër i saj. Ai është njeriu të cilin ju e detyruat të dalë lakuriq si hajdut para shqiptarëve. Imagjinoni për një moment sikur të mos ishte zëri ynë dhe kryengritja jonë paqësore, imagjinoni se çfarë turpi do ishte për ne shqiptarët, për opozitën shqiptare dhe për këdo që i thotë vetes shqiptar. Ja pra çfarë arritëm ne me kryengritjen tonë, i thamë botës se kemi një monstër që përdor pushtetin për vjedhje nga mëngjesi në darkë, e përdor për krim, por ne jemi burra e gra me guxim që do e largojmë nga pushteti atë. Rrjetet televizive kanë dhënë protestën tonë më gjatë se ndonjë tjetër. Jo se ishte pjesë e axhendës kryesore të tyre, por se ishte kryengritja e Ramës. Rama, sot pasi në Bruksel i nxorën kartonin e zi dhe jo të kuq, pasi në Mynih i përplasën derën në fytyrë, vendosi të ndryshojë ligjin e ta votojë në Parlament, me të cilin beson se do mund të vjedhë shqiptarët me ministrat e tij dhe se drejtësia nuk do veprojë mbi ta. Do veprojë populli mbi të. Nuk do ketë heshtje të popullit shqiptar pa mbrojtur ligjin dhe Kushtetutën”, tha ai mes të tjerash.

Në fund edhe mesazhin për rrëzimin e këtij regjimi, sikurse diktatura 35 vite më parë:

“Edi Rama, yt atë, xhelati Kristaq Rama, daja yt, xhelati Spiro Koleka, 35 vite më parë bëri thirrje për tanket ndaj studentëve, kurse ti sot përdor mandatet e krimit si mburojë për të vjedhur shqiptarët. Ata e bënin për pushtetin e tyre të krimit, ti për tëndin, ata i përmbysëm, ty do të përmbysëm, ata i zvarritëm, ty do të zvarrisim”, vijoi Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura