“Vetting”, dy vite që tronditën korrupsionin

Feb 9, 2026 | 8:04

ARDIAN BUSHIARDIAN BUSHI

Më 8 shkurt, emisioni investigativ “Vetting” shënon dy vite në transmetim. Dy vite ku fjala nuk ka qenë thjesht zë televiziv, por akt denoncimi publik, dokumentimi dhe përballjeje me pushtetin. Që nga dita e parë, “Vetting” u pozicionua si një emision pa kompromis ndaj korrupsionit, abuzimit me fondet publike dhe shkeljes së ligjit.

Starti i emisionit nuk ishte simbolik, por goditës. Rasti i parë i denoncuar ishte ai i ish-drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi, aktualisht deputet. Denoncimet e “Vetting” për abuzime me tendera dhe fshehje pasurie u shndërruan sot në çështje konkrete nën hetim nga SPAK. Ky rast vendosi standardin: çdo akuzë duhej të ishte e mbështetur në prova.

Më pas, emisioni vijoi me një nga denoncimet më të forta politike: ishzv.kryeministrja Belinda Balluku. “Vetting” ekspozoi një zinxhir abuzimesh me tendera dhe investime publike, që nga Tuneli i Llogarasë, tek OST, Unaza e Madhe dhe ARRSH. Sot ajo është pezulluar nga detyra, nën hetim nga SPAK dhe me kërkesë për heqje imuniteti, një zhvillim që e kthen investigimin mediatik në akt drejtësie.

Një tjetër rast i rëndësishëm ishte ai i ish-drejtorit të ARRSH, Elvis Berberi, i cili pas denoncimeve të “Vetting”, sot ndodhet i arrestuar nga SPAK për abuzime me tenderat dhe fondet publike.

Emisioni ka denoncuar gjithashtu skandalin e ilaçeve për pacientët onkologjikë, abuzimet me fondet e rindërtimit, si dhe figura të sistemit të drejtësisë: një ish-kryeprokuror në Lezhë dhe një gjyqtare në Shkodër, të përjashtuar nga sistemi pas denoncimeve të “Vetting”. Po ashtu, janë trajtuar abuzime me investimet në hekurudha, panele diellore dhe projekte strategjike.

Por “Vetting” nuk është përballur vetëm me korrupsionin, është përballur edhe me presionin. Zyrat e emisionit u bënë objekt sulmi nga Policia e Shtetit, e cila mori me forcë godinën ku punonin gazetarët, duke mbyllur redaksinë dhe televizionin “News24”. Ishte një moment i errët për lirinë e medias.

Megjithatë, “Vetting” ishte emisioni i parë që rifilloi punën, denoncimet dhe investigimet. Edhe pse gazetarët u kërcënuan, ata nuk u tërhoqën. Përkundrazi, vazhduan punën me më shumë vendosmëri, duke treguar se frika nuk mund ta mbyllë gazetarinë e lirë.

Pas dy vitesh, “Vetting” nuk është thjesht një emision. Është një mekanizëm presioni publik ndaj pushtetit dhe një urë mes qytetarit dhe drejtësisë. Filozofia e tij është e qartë: Kushdo që thyen ligjin, do përballet me reagimin dhe denoncimin publik! Në përvjetorin e dytë, “Vetting” nuk feston kohën në ekran, por efektin real të fjalës së lirë: hetime, shkarkime, pezullime, arrestime dhe mbi të gjitha, qëndrimin në këmbë edhe kur pushteti përpiqet të të heshtë.

Autor dhe drejtues i emisionit “Vetting”

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura