Në ditën e 47-të të protestës popullore, foli nga sheshi “Skënderbej” edhe një ish-minator i vjetër, i cili deklaroi se vendi duhet të pastrohej nga dy partitë e vjetra si PD dhe PS, të cilat i fajësoi për shkatërrimin ku ndodhet Shqipëria.
“Unë kam qenë minator. Por mendoj se duhet të shkrihen PD e PS. Fraksione të partisë së punës, i krijoi rami zalia me urdhër të Beogradit. Ligji 7501 shkatërroi këtë vend me urdhër të Beogradit. Ne Parlamentin shqiptar zënë vend deputet pa shkollë. Ndaj është kot nëse nuk gjendet mënyra për shkatërrimin e këtyre dy partive”, tha ai për News24.
Më tej ish-minatori vuri në dukje se rinia po bënte një lëvizje ideale për ta pastruar klasën e vjetër politike, teksa vuri në dukje shkallën e lartë të korrupsionit dhe gjendjen e mjerueshme në spitale.
“Rinia e ka marrë përsipër dhe bravo i qoftë, por mendoj se duhet të ketë edhe profesoë që t’i drejtojnë t’i dalin në ballë. Kam qenë minator, pensioni është as 300 euro, pension qesharak. Shkova për vizitë dhe më thanë se duhet ta bëja vizitën private me 300 mijë lekë, i thashë ku ti gjej, unë s’kam bukë të ha, sepse nuk bëheshin në shtet analizat. Nuk e kam punë inati, i majtë kam qenë, por s’e kam për atë punë. Më 2018 kam pasur gruan në Onkologjik për operacion, Rama ka bllokuar rrugët në atë kohë kur erdhi dhe qytetarët dilnin nga dalja tjetër dhe nuk më lanë ta takoja. Cilësia e shërbimit në spitale lë për të dëshiruar shumë”, vijoi qytetari.
Ai propozoi që deputetët të ishin vendalinj nga qytetet ku zgjidheshin dhe jo nga Tirana e të flisnin sa për të dalë në televizor. Ish-minatori akuzoi kryeministrin edhe për shitjen e Shqipërisë.
“Deputeti duhet të zgjidhet nga populli atje, të jetë vendali, të jetë i Kukësit për shembull. Ata dalin në Parlament kur dalin në televizor, rrinë të gjithë në Tiranë. Këta po zbatojnë teoritë e vjetra për shkatërrimin e Shqipërisë. Sepse kanë vjedh aq shumë e kanë bërë korrupsion aq shumë, sa kjo rini një ditë do i kapi. Kryeministri nuk shkon në Evropë për ta futur vendin në Evropë, por për të bërë matrapazllëqe, për të shitur trojet e Shqipërisë”, përfundoi ai.
© Panorama.al











