Protesta popullore hyri sot në ditën e 47-të të saj, me një rezistencë historike dhe qëndrueshmeri qytetare të pashembullt të shqiptarëve, që kërkojnë largimin e qeverisë dhe pastrimin e klasës së vjetër politike, për një Shqipëri të Re.
Rreth orës 19:00 ata u mblodhën edhe sot në sheshin “Skënderbej”, nga ku u vijua me marshimin drejt Kryeministrisë.
Një prej qytetarëve shprehu kritika të hapura për gjendjen në Shqipëri, në të gjithë sektorët dhe kryesisht problematikën e korrupsionit, që detyron shqiptarët të braktisin vendin.
“Po vjedhin shumë, rrogat janë të ulëta. Politikanët ikin jashtë shtetit me paret tona, kurse ne i paguajmë të gjitha, taksat e detyrimet. Këta nuk e pranojnë, si duket është i kapur nga gjërat e tjera. Këtu nuk shkon asgjë. Kam dy çuna, të dy i kam jashtë, njëri në Itali. Kanë ikur nga halli, këtu rrogat, ja çfarë na sjellin ata nga vendet e treta”, tha ai.
Qytetari ndau edhe një eksperiencë të dhimbshme personale nga spitalet, ku tha se jo vetëm shërbimi ishte për t’u dëshiruar, por edhe duhet të paguaje.
“Më ndodhi edhe mua, kisha vjehrrin në spital në Vlorë, hemorragji cerebrale, me lekë në dorë për mjekët e doktorët, ushqimi për ibret, çfarë të them. Doktori vinte në mëngjes, merrte lekët dhe ikte. Shërbimi keq fare, spitali për ibret, përtokë”, tha ai për News24.
Qytetarët hodhën thirrje për dorëheqjen me parullat “Rama ik”.
© Panorama.al












