Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e rajonit Kukës-Dibër, ka arrestuar sot në flagrancë një punonjës të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “shpërdorim detyre”.
Në pranga ka rënë Megin Ademi, 32 vjeç, i cili mbante detyrën e specialistit për Hetimin e Krimeve në Komisariat.
Sipas hetimeve të kryera nga AMP:
“Dyshohet se punonjësi i policisë nuk ka kryer veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale lidhur me largimin e shtetasit Amir Muaremi, i cili ishte nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ndodhej në proces ekstradimi drejt Republikës Federale të Gjermanisë”.
Kanë nisur hetimet për të zbuluar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe nëse rasti është thjesht një neglizhencë në shpërdorim detyre apo implikim direkt i efektivit.
Materialet procedurale për rastin i janë referuar Prokurorisë, e cila do të vijojë veprimet e mëtejshme hetimore.
© Panorama.al












