Humb jetën pak pas aksidentit të rëndë të ndodhur në rrugën Elbasan Librazhd shoferi 19-vjeçar.
Viktima është Klement Balla, banues në fshatin Griqan.
Ngjarja ndodhi pasditen e sotme, kur mjeti me të cilin udhëtonte i riu doli nga rruga, u përplas me barrierat anësore dhe u shkatërrua plotësisht.
Ai u dërgua me urgjencë në spital në gjendje kritike dhe për fat të keq nuk ia doli dot të mbijetonte sipas mjekëve.
“Në aksin rrugor “Elbasan–Librazhd”, në fshatin Mengël, automjeti që drejtohej nga shtetasi K. B., 19 vjeç, ka dalë nga rruga.Si pasojë e aksidentit, shtetasi K. B. ka humbur jetën. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit”, thanë burime policore për ngjarjen e ndodhur.
Si ndodhi aksidenti dhe dyshimet për shkakun
Aksidenti i rëndë rrugor është regjistruar këtë të enjte rreth orës 17:50 në aksin kombëtar Elbasan–Librazhd, në fshatin Mengël, Njësia Administrative Labinot-Fushë, në territorin e Bashkisë së Elbasanit.
Sipas burimeve nga vendngjarja, një automjet tip autoveturë, që dyshohet se po lëvizte me shpejtësi, ka humbur kontrollin gjatë qarkullimit. Për pasojë, mjeti ka dalë nga korsia e rrugës dhe është përplasur me forcë me barrierat mbrojtëse anësore.
Si pasojë e përplasjes së fortë, automjeti është dëmtuar pothuajse plotësisht, duke pësuar shkatërrime të mëdha në pjesën ballore dhe anësore.
Burimet bënë me dije se drejtuesi i automjetit është Klement Balla, banues në fshatin Griqan. Ai ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit. Po për fat të keq nuk mbijetoi dot pasi gjendja e tij shëndetësore paraqitej e rëndë.
Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të mjetit, e favorizuar nga shpejtësia e lartë, ndërsa pritet që ekspertiza teknike dhe hetimet e policisë të përcaktojnë me saktësi shkaqet e këtij aksidenti të rëndë.
© Panorama.al












