Para debutimit te Partizani, trajneri Milinkoviç: Pashë formacionin te “Panorama”, por gjithmonë mund të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2025 | 18:13

Para debutimit te Partizani, trajneri Milinkoviç: Pashë formacionin te “Panorama”, por gjithmonë mund të…

Mladen Milinkoviç ka folur para ndeshjes që Partizani do të luajë ndaj Vorës. Për Milinkoviç do të jetë debutim.

milinkovic

Në konferencë për shtyp, trajneri i Partizanit deklaroi:

“Siç e thatë, jam këtu prej dy javësh. Gjatë këtyre dy javëve kemi pasur një ndeshje miqësore me Bylisin, pjesën tjetër të kohës e kemi kaluar duke u munduar të gjejmë 11-shen më të mirë për ndeshjen me Vorën. Jemi munduar të kalojmë idetë tona te lojtarët dhe shpresojmë në pak kohë të shohim gjëra nga çfarë duam.

Patjetër që në ndeshjen e parë nuk je i qartë sa je i përgatitur. Dhe këtë nuk po e them vetëm për ne, edhe ekipet e tjera duan 1 apo 2 ndeshje për të filluar dhe për të treguar më të mirën.

Jam munduar të transmetoj te lojtarët që në ndeshjen e parë është më i rëndësishëm rezultati. Shpresoj se e kanë kuptuar mesazhin, besoj do kemi ndeshje të mirë nesër dhe ta fillojmë me këmbën e mbarë.

Vora është skuadër që fitoi Kategorinë e Parë. Do të luajnë për herë të parë në Superiore nëse nuk gabohem. Nga kjo perspektivë besoj se nuk kanë presion. E di pak mentalitetin këtu, dhe çdo klub e president do që skuadra e tij të fitojë ndeshjen, për këtë nuk pres të jetë e lehtë. Kanë kualitet. Disa lojtarë që luajnë prej disa vitesh bashkë, kanë marrë lojtarë të rinj dhe i kam shpjeguar skuadrës se nuk duhet të pushojmë 1 minutë gjatë gjithë ndeshjes.

Dhe siç thuhet është e vështirë të fitosh 2 ndeshje në shtëpi, por nëse i merr në ndeshjet e para, bëhet e lehtë.

Merkato? Për ne më e rëndësishme ndeshja nesër. Këto 2-3 ditë i gjithë fokusi ka qenë përsa i përket ndeshjes. Do doja të gjithë të jenë të gatshëm për nesër, por kemi disa probleme të vogla me disa lojtarë. Sot do të vendosim për ndeshjen. Nuk jam dikush që qan kur nuk kam dikë të gatshëm për ndeshjen.

Besoj te forcat e grupit. Ne mundohem të ndërtojmë një grup të shëndetshëm, që do luftojë deri në maj për rezultatet e klubit.

Si fillim më vjen shumë keq për Amos Nondin që u dëmtua. I uroj që të rikuperohet shpejt dhe të kthehet sa më shpejt. Siç thashë, shumë lojtarë kanë kualitet, por për të treguar cilësitë duhet të jesh në formën e duhur. Ne kemi disa lojtarë të rinj, që nuk janë për momentin në formën e duhur. Dhe besoj pas ndeshjes së dytë, kur të kemi pushimin e kombëtareve, do jemi në gjendje më të mirë. Bintsukës i duhet kohë për të kapur gjendjen e duhur.

Formacioni? Kam parë dy ditë më parë formacionin te “Panorama”.  Gjithmonë mund të presësh surpriza, nganjëherë surprizoj edhe vetë lojtarët. Për mua më e rëndësishme është stërvitja. Dhe shikoj sa shumë japin në stërvitje, sa mund të ndihmojnë skuadrën dhe kjo është mënyra si do zgjedhim kush do vazhdojë. Nuk është që vetëm 11 lojtarë janë të rëndësishëm, ka ndeshje që lojtarë që futen bëjnë ndryshime gjatë ndeshjes.

Sigurisht që e pashë Vllaznia-Egnatia, përjashtuar 15 minuta e para se ishim në stërvitje. Në opinionin tim pamë një ritëm të mirë në lojë. Dhe kjo ndeshje tregoi sa të rëndësishme është pjesa e standardeve. Intensiteti ishte i mirë. Nuk besoj se mund të krijoj ide të pastër vetëm për një ndeshje. Pashë drejtpërdrejt edhe Dinamon me Hajdukun, Dinamo arriti rezultat dhe bëri ndeshje të mirë. Liga do jetë shumë e vështirë, sidomos këtë vit. Elbasani ka bërë ekip dhe ka pretendime, Flamurtari ka bërë investime. Nuk do ketë ndeshje të lehtë. Bylisi vjet u ka shkaktuar probleme shumë skuadrava. Më e rëndësishmja për mua është ekipi im. Mund të humbasësh 3 pikë, edhe ai tjetri nëse humbet nuk krijon përparësi. Prandaj u them lojtarëve, që duhet të fokusohemi te vetja dhe puna jonë, pastaj çfarë bëjnë të tjerët nuk është në dorën tonë”, u shpreh Milinkoviç.

PANORAMASPORT.AL