Nga “selfie” me Martinin te penalltia e humbur e Balajt, njihuni me pikantet e Vllaznia-Egnatia
Debutuesit nën lupë – Murataj, Kastrati, Poçi dhe Buriç shënuan paraqitjet e para me fanellat e skuadrave të tyre. Emra të rinj që do t’i ndjekim gjatë sezonit.

ALEKSI SHPËRTHEN – Mesfushori i Egnatias nuk i kurseu protestat ndaj gjyqtarit për penalltinë e dhënë, duke ndezur debatet në fushë.
BALAJ “TRADHTON” NGA PIKA E BARDHË – Bomberi i Vllaznisë, i njohur për saktësinë e tij, këtë herë e dërgoi topin jashtë, duke lënë të habitur gjithë stadiumin.
SPEKTAKLI I MARTINIT – Minuta e 23-të solli një episod të pazakontë. Trajneri Edi Martini u ndëshkua me karton të kuq pas protestave dhe nuk u ul në tribunën qendrore. Ai preferoi të kalonte te tribuna karshi, ku u shndërrua në protagonist “jashtë fushe”: mori duartrokitje, thirrje, ngacmime dhe madje edhe kërkesa për “selfie” nga tifozët. Një skenë që rrallë shihet në futbollin shqiptar.
PROTESTAT NUK KURSYEN ASKËND – Në krahun tjetër, edhe Tetova e drejtori Zenelaj e panë verdhën e arbitrit për nervozizmin ndaj vendimeve.
PAK, POR ZHURMSHËM – Vetëm 20 tifozë të Egnatias bënë rrugën drejt Shkodrës, duke mbështetur skuadrën e tyre deri në fund.
FESTA KUQEBLU – Mbi 5000 tifozë shkodranë mbushën shkallët e “Loro Boriçit”, duke e kthyer stadiumin në një karnaval emocionesh dhe duke vulosur avantazhin e tyre edhe nga jashtë fushe.
PANORAMASPORT.AL













