EKSKLUZIVE/ Redi Jupi analizon finalen: Kupa nuk vlen përpara kampionatit! Demin e njoh si inteligjent, por u tregua naiv (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2025 | 23:30

EKSKLUZIVE/ Redi Jupi analizon finalen: Kupa nuk vlen përpara kampionatit! Demin e njoh si inteligjent, por u tregua naiv (E PLOTË)

Në një moment kyç për futbollin sh qiptar, ku finalja e madhe mes Egnatias dhe Vllaznisë mbyll një sezon plot emocione, tensione dhe polemika, Redi Jupi, ish-futbollist, trajner dhe një nga zërat më të kthjellët të analizës sportive në vend, ndan mendimet e tij pa dorashka.

redi jupi

Nga vlerësimi teknik i skuadrave finaliste, zhgënjimi i Dinamos, dhe deri te shqetësimet për të ardhmen e futbollit të moshave dhe rregullorja për të huajt, kjo intervistë është një pasqyrë e ndershme dhe e thellë mbi problemet dhe shpresat që rrethojnë futbollin shqiptar. Një analizë që vlen të lexohet me vëmendje, jo vetëm nga tifozët, por nga të gjithë ata që duan një të ardhme më të pastër dhe më të fortë për sportin tonë.

Si e vlerësoni rrugëtimin e Egnatias dhe Vllaznisë deri në finale? A mendoni se janë ekipet që realisht e meritojnë këtë përballje për titullin?

Mendoj se Vllaznia dhe Egnatia kanë bërë një kampionat dinjitoz dhe të mirë. Jam shumë i bindur, teknikisht dhe jo emocionalisht si tifoz, që Dinamo ishte mbase ekipi më i mirë se të gjithë këta, por edhe ata kanë kaluar peripecitë e veta, të pandikuar nga të tjerët. Janë futur vetë në këto peripeci gjatë kampionatit dhe nuk arritën dot që të shkonin në finalen për mbylljen e sezonit.

Çfarë pikash të forta ose tipare dalluese kanë këto skuadra që i kanë çuar deri në në fund?

Egnatia është një ekip që ka bërë mirë në gjithë këto sezonet e fundit. Një ekip i konsoliduar edhe pse shiti disa lojtarë, arriti që t’i zëvendësonte në mënyrën e duhur. Ka një ide të përbashkët që është e rëndësishme. Ka një bosht që është mbajtur, janë të bindur për cilësitë e tyre dhe për forcën e tyre. Kështu që kjo është vlera më e madhe e tyre.

Vllaznia, nga ana tjetër, është një skuadër po ashtu e mirë, cilësore që ka elementë të rëndësishëm në përbërje dhe disa djem të rinj shumë cilësorë, por mendoj që nuk qëndron në nivelin e Dinamos apo Egnatias. Unë e shikoj të tretën në hierarki. Gjithsesi, edhe ata me meritë janë në këtë finale. Nuk të fal njeri asgjë.

Cila mendoni se ka më shumë avantazh në finale, Egnatia me lojën e shtruar, qarkullim topi apo Vllaznia me shpirtin luftarak?

Në këtë pikë, siç e thashë, Egnatia është ekipi më i mirë, por në këtë ndeshje teke, mendoj se nuk do të ketë diferenca të mëdha midis tyre. Janë të dyja favorite për ta fituar ndeshjen. Stilin e lojës e kanë pak a shumë të ngjashëm. Mendoj se Vllaznia në këtë moment ka pak më tepër bindje apo cilësinë për shënimin përpara.

Është pak më e aftë për të shënuar dhe më konkrete përpara portës. Kurse Egnatia është një skuadër më e mirë në mbrojtje, pak më e mirë në mesfushë, por që e gjen me vështirësi rrugën e rrjetës në raport me rastet që krijon. Nuk është edhe aq racionale në lojën që zhvillon dhe rastet që bën. Po të shohësh një nga mesfushorët e saj është edhe golashënuesi më i mirë. Në fakt, ai është nga më të mirët e kampionatit për atë punë, por nuk është shenjë e mirë për skuadrën, edhe pse është shenjë shumë e mirë për Lushkjen.

Kush ka më shumë për të humbur?

Më shumë për të humbur në këtë rast ka Vllaznia, sepse Egnatia vjet i ka fituar të dy trofetë, edhe pse ata nuk do ta kalonin kollaj, sepse humbën finalen e Kupës, po të humbisnin edhe titullin, do të ishte një goditje e fortë për ta. Nga ana tjetër, Vllaznia ka shumë vite që e pret titullin dhe është ngritur pritshmëria në ambientin shkodran. Megjithëse shikoj një farë mosbesimi te trajneri i Vllaznisë, Brdariç, i cili është në një presion më të madh sesa Tetova, që ka besimin e ambientit dhe ka treguar se ka fituar në të kaluarën.

Cili trajner në finale është më i rëndësishëm për skuadrën e vet, Tetova apo Brdariç? Dhe pse?

Nuk di ta them se cili do të jetë më i rëndësishëm. Të dy kanë peshën e vet në skuadër. Skuadra është fytyra e trajnerit në mënyrën se si luan skuadra, duket edhe dora e tij. Të dy janë të rëndësishëm, sepse e kanë sjellë ekipin deri këtu dhe nga të dy do të vendoset se çfarë do të bëjnë në këtë 90- minutësh, minimalisht 90- minutësh, sepse mund të shkojë edhe më shumë. Secili nga ta do të jetë vendimtar për skuadrën e tij.

A është një dështim për Dinamon që nuk shkoi në finale apo duhet të mjaftohen me Kupën?

Nuk mund të thuhet që është dështim për Dinamon që nuk shkoi në finale, por një rast i humbur ama. Unë, po të isha në vendin e tyre ose po them tani si tifoz i Dinamos, Kupën do ta lija, sepse e konsideroj një trofe minor, sepse ashtu konsiderohet nga të gjitha anët, edhe në raport me të ardhurat, edhe në raport me atë se çfarë të sjell, edhe kompeticioni që përfaqëson. Kupa është një trofe shumë minor në raport me kampionatin. Kampionati është shumë i rëndësishëm, sidomos duke parë që Dinamo i kishte të gjitha mundësitë për ta fituar, sepse për mua ishte kandidati kryesor. Kështu që nuk mund të them dështim, sepse fituan Kupën, por një rast i munguar, e them me bindje.

Dinamo dominoi kundër Vllaznisë, ndërsa në klub kanë rezerva për gjykimin dhe kanë ngritur akuza të ashpra. A mendon se pati një tendencë nga gjyqtari kundër bluve?

Unë ndeshjen e kam parë edhe si tifoz, edhe si njeri i sportit. Dinamo luajti shumë mirë pjesën e dytë. Ka bërë një pjesë të dytë, po vetëm një pjesë të dytë ama, e cila ishte një nga performancat më të mira që mund të ketë bërë një ekip shqiptar në këto 3-4 vitet e fundit. Ne nuk kemi parë një ndeshje në kaq nivel, sa i përket mënyrës se si shprehet ekipi apo cilësisë së individëve.

Në këtë aspekt, Dinamo bëri shumë mirë, po ama jam i mendimit që arbitri nuk ndikoi në rezultatin e ndeshjes. Edhe pse Dinamo luajti shumë mirë, Vllaznia në “over-all” e meritoi shkuarjen në finale. Por, është e kuptueshme që pas një ndeshjeje aq të mirë dhe me një ngarkesë emocionale aq të lartë, të ketë pretendime stafi dhe njerëzit rreth ekipit.

Turet kualifikuese të Europës vijnë shpejt, ka mundësi që Dinamo të thyejë agjërimin e klubeve shqiptare në futjen në grupe?

Nuk e di a mund ta bëjë këtë Dinamo, që të futet në grupe, por cilësitë i ka. Tani duhet pare, sepse do të isha i bindur nëse do të ishin në vitin e dytë apo të tretë të ciklit të tyre, por dyshimet më lindin se është vetëm viti i parë, pra sapo ka filluar. Skuadra është e mirë dhe e plotë, ka individë cilësorë, nëse ata do t’i mbajnë gjithmonë. Ka një trajner kompetent, në të cilin stafi dhe lojtarët besojnë. Kështu që komponentët i ka. E vetmja mangësi që mund t’iu dalë gjatë këtij rrugëtimi në Europë, mbase do të jetë që është shumë herët në konsolidimin e skuadrës në këto nivele.

Partizani nuk shfaqi shumë në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, aq ishin mundësitë apo u gabua në strategjinë e ndeshjes?

Mendoj se Partizani bëri shumë edhe kaq, në raport me cilësinë e lojtarëve që kishte. Një skuadër shumë modeste në përbërjen e lojtarëve e cila vinte nga problematika përpara se ta merrte Skënder Gega, nga të gjitha drejtimet, sidomos në menaxhim, në afrimin e lojtarëve, në njerëzit që sillen rreth klubit. Unë presidentin Demi e vlerësoj njeri inteligjent, por nuk e di pse është treguar kaq naiv në njerëzit që mban afër dhe që u ka lënë dorë të lirë politikave të tyre.

Nga sezoni tjetër do të kemi të huaj pa limit, ndërkohë flitet se te moshat është propozuar të bëhet nga 5 në 3. Sa rrezikojmë që çdo ekip të fokusohet vetëm te tregu i huaj dhe për çfarë mund të bëhet kjo lëvizje te moshat?

Futbolli i moshave nuk mund të ezaurohet në një pyetje të vetme. Kërkon një intervistë të tërë. Mirë që ka një paaftësi shumë të madhe në futbollin e moshave, por edhe politikat që ndjekin këta, janë komplet të mbrapshta. Shiko se çfarë bëjnë këta. Tirana me ekipin U-19 bie nga kategoria, seç bëjnë disa katrahura dhe bashkojnë U-19 me U-13.

Fëmijët pas 15-vjeçarëve nuk kanë ekipe ku të luajnë se ka shumë pak ekipe. Me gjithë këto politika dritëshkurtëra që kanë bërë, vendosin edhe këtë rregullin e të huajve pa limit në Superiore, që u mbyll edhe atyre pak që mund të jenë kandidatë për të luajtur, nuk kanë se ku të luajnë se mbushet me të huaj.

Futja e të huajve në futbollin e moshave nuk e di se çfarë niveli idiotësie është. Edhe i shkon kundra dhe nuk i shkon përshtat fare futbollit që ne luajmë, objektivave që duhet të kemi në futbollin e moshave, përhapjen, mbështetjen dhe zhvillimin e futbollit të moshave dhe promovimin e atyre lojtarëve që ne duam të nxjerrim.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL