Sot (4 nëntor) mbahen zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut në SHBA.
Aktivisti shqiptaro-amerikan, Marko Kepi, ka bërë një postim në rrjetin e tij social Facebook, përmes të cilit shpreh mbështetjen e komunitetit shqiptar-amerikan në Nju Jork për kandidatin Curtis Sliwa.
Sliwa themelues i organizatës “Guardian Angels”, njihet për përpjekjet e tij për sigurinë publike dhe për qëndrimet konservatore kundër kriminalitetit dhe socializmit.
“Shqiptaro-amerikanët — SOT është Dita e Zgjedhjeve! Krenar që qëndroj me Curtis Sliwa, një mik i vërtetë i komunitetit tonë dhe një luftëtar për Qytetin e Nju Jorkut.
Ne punojmë shumë, rrisim familje, ndërtojmë biznese dhe meritojmë rrugë të sigurta — jo socializëm, krim apo kaos. Curtis do të mbrojë vlerat tona, do të mbrojë liritë tona dhe do të rivendosë ligjin dhe rendin. Votoni Sliëan për Kryetar Bashkie — le ta shpëtojmë qytetin tonë dhe të tregojmë forcën tonë! Të bashkuar qëndrojmë, të bashkuar fitojmë”, shkruan Marko Kepi në Facebook.
Votuesit në shtetin e Nju Jorkut votojnë sot për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë. Zohran Mamdani, i cili doli si kandidat demokrat në zgjedhjet paraprake të qershorit, ish-guvernatori i Nju Yorkut, Andrew Cuomo, i cili kandidoi si i pavarur në balotazh dhe kandidati republikan dhe Curtis Sliwa garojnë në zgjedhjet e 4 Nëntorit.
Demokrati i ri 34-vjeçari Mamdani, i cili e mposhti rivalin e tij më të afërt Cuomo në zgjedhjet paraprake, ka epërsi prej gati 12 pikësh ndaj Cuomo-s, sipas sondazheve të fundit.
Procesi, i cili filloi në qershor për të zgjedhur kryetar të ri bashkie, do të përfundojë sot.
Sipas të dhënave të Bordit zgjedhor të qytetit të Nju Yorkut, votimi në qytet, i cili ka rreth 5.1 milionë votues të regjistruar që nga shkurti, do të vazhdojë deri në orën 9:00 të mbrëmjes sipas kohës lokale.
© Panorama.al











