Kjo periudhë e bukur e vitit nuk është gjithmonë aq e favorshme për shëndetin e zemrës.
Sipas të dhënave të Shoqatës Amerikane të Kardiologjisë (AHA), në Shtetet e Bashkuara regjistrohen më shumë raste infarkti në periudhën nga Krishtlindjet deri në Vitin e Ri, krahasuar me çdo periudhë tjetër të vitit.
Duke u nisur nga ky fakt, AHA jep disa këshilla të rëndësishme për festat. Siç thekson edhe presidenti i shoqatës, ditët festive shoqërohen shpesh me stres dhe shqetësime, ndryshojnë rutinat e përditshme, rritet konsumi i ushqimit dhe alkoolit, zvogëlohet aktiviteti fizik dhe pushimi.
Gjithashtu, shumë persona priren të injorojnë sinjalet paralajmëruese të trupit, duke menduar se do të merren me to pas festave.
Me disa hapa të thjeshtë parandalues, zemra mund të mbrohet dhe festat të shijohen në mënyrë më të sigurt.
Këshillat kryesore të ekspertëve:
Njihni shenjat paralajmëruese të infarktit dhe kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore. Dhimbja në gjoks është simptoma më e zakonshme dhe mund të shoqërohet me lodhje, vështirësi në frymëmarrje, të përziera, djersitje dhe zbehje.
Mos abuzoni me ushqim dhe pije, zgjidhni ushqime të shëndetshme dhe kufizoni kripën.
Ulni stresin, qoftë ai emocional, social apo financiar.
Gjeni kohë për ecje ose aktivitet të lehtë fizik.
Mos neglizhoni matjen e tensionit dhe merrni rregullisht medikamentet sipas udhëzimeve të mjekut.
© Panorama.al












