“Sesioni i ri të nisë me heqjen e imunitetit të Ballukut” – Blushi debat në Konferencën e Kryetarëve: I dhatë 6 javë kohë të prishë provat! Po promovoni korrupsionin

Jan 19, 2026 | 12:36

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi kërkoi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që sesioni i ri parlamentar të nisë me shqyrtimin e kërkesës së SPAK për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut, e marrë e pandehur. 

tedi blushi

Ai theksoi se maxhoranca, duke bllokuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve, i dha 6 javë kohë zëvendës kryeministres së pandehur që të prishë provat, dhe se qëndrimi i saj në këtë post, pavarësisht faktit se është vënë nën akuzë nga SPAK, tregon se qeveria po promovon dhe po mbron korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë.

“E keni kthyer Kuvendin në bunkerin e korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës. Ky sesion duhet të nisë punimet me heqjen e imunitetit të Ballukut dhe dorëzimin e saj para drejtësisë. I keni dhënë 6 javë kohë Belinda Ballukut për të prishur provat dhe për të intimiduar dëshmitarët. Vijimi i të qenit zëvendëskryeministre është promovim dhe mbrojtje e korrupsionit dhe e pandëshkueshmërisë. Me mbrojtjen e Ballukut nuk po provokoni opozitën, por të gjithë shqiptarët që po vidhen barbarisht nga ju. Ju keni premtuar se do të miratoni çdo kërkesë të SPAK për dhënie autorizimi.”, tha Blushi.

Sipas tij, maxhoranca nuk po mbron Ballukun, por në fakt Edi Ramën. Peleshi, theksoi ai, duhet të mbajë përgjegjësi për shkeljen e rregullorës dhe Kushtetutës, duke vepruar si “ushtar i bindur” dhe duke bllokuar qëllimisht këshillin e mandateve për të mos lejuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut.

“Nuk po mbroni Ballukun, por aferat e Edi Ramës. Mos e përdorni mandatin e deputetit për të mbrojtur krimet e shefit tuaj. Dënoj shkeljen e rëndë të Rregullores nga Peleshi, i cili duhet të mbajë përgjegjësi penale për shkeljen e Rregullores dhe të Kushtetutës për çështjen Balluku. Peleshi, si ushtar i bindur, bllokoi qëllimisht Këshillin e Mandateve për rastin Balluku. Mos pengoni drejtësinë për rastin Balluku, sepse kjo ju inkriminon të gjithëve.”, shtoi ai.

I cilësoi gjithashtu socialistët si “ushtarë” të Ergys Agasit.

“Ju jeni ushtarë të Ergys Agasit. Kuvendi nuk funksionon në bazë të Kushtetutës, por të urdhrave të mafias dhe të Ergys Agasit. Po e përdorni Kuvendin si mburojë për skandalet dhe aferat ku jeni përfshirë të gjithë. Kuvendi nën këmbët e krimit. Ju kërkoni konsensus nga opozita për reformat, por ky sesion nis me 6 deputetë të opozitës të përjashtuar.”, shtoi Blushi.

Më tej, Blushi përmendi se PL ka depozituar dy projektligje të rëndësishme në Kuvend, atë për uljen e TVSH dhe për Sigurinë ushqimore, por ende nuk kanë caktuar një datë për shqyrtim. Përmendi edhe kërkesën për interpelancë me ministrin e Drejtësisë për Metën.

“Partia e Lirisë ka depozituar dy projektligje të rëndësishme për interesin publik, për uljen e TVSH-së nga 20% në 5% dhe për Sigurinë Ushqimore, dhe ju ende nuk keni caktuar një datë për shqyrtimin e tyre në komisionet parlamentare dhe në seancë. Kam depozituar dy kërkesa për interpelancë: me ministrin e Drejtësisë për çështjen Meta dhe me ministrin e Bujqësisë për fondet e IPARD-it, dhe ju ende nuk keni caktuar një datë për zhvillimin e tyre. Ju e nisni edhe këtë sesion me shkelje të rënda të Rregullores dhe të Kushtetutës, me mohimin e të drejtave kushtetuese të opozitës, përfshirë edhe refuzimin për ngritjen e komisioneve hetimore”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura