Mijëra qytetarë u mblodhën sot për të 12-të ditë me radhë para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, në kuadër të protestës që po vijon prej disa ditësh kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Tubimi ka nisur në bulevardin kryesor përpara Kryeministrisë, ku protestuesit janë grumbulluar për disa orë, duke vijuar me thirrje dhe pankarta kundër qeverisë dhe duke kërkuar dorëheqjen e saj.
Më pas, ata ka nisur marshimin në disa drejtime të kryeqytetit, duke kaluar në akse kryesore si rruga e Durrësit, zona e Zogut të Zi, ish-Sheshi “Shqiponja, Astir, e më pas janë drejtuar drejtë qendrës së qytetit, pranë Kryeministrisë.
Ashtu si çdo ditë, edhe sot refreni i mijëra protestuesve në shesh dhe në rrugë ishte “Rama jepe dorëheqjen” dhe “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
“Ju erdhi fundi”, “Revolucion” dhe “Shqipëri e re”, janë po ashtu thirrje të qyetarëve.
Protesta, e cila nisi si kundërshtim ndaj projekteve të ndërtimit në zonën e Zvërnecit, është shndërruar tashmë në një lëvizje më të gjerë qytetare, ku kërkesat kryesore mbeten ndalimi i ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama së bashku me kabinetin qeveritar.
Ndërkohë, protesta ka kapërcyer kufijtë e Tiranës, duke gjetur mbështetje edhe në qytete të tjera të vendit, si dhe mes shqiptarëve të diasporës, të cilët kanë organizuar tubime solidarizuese në vende të ndryshme të Europës.
© Panorama.al





















