Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar nismën ligjore të ndërmarrë nga PS-ja për çështjen e pezullimeve, duke marrë shkas nga rasti i Belinda Ballukut, duke e cilësuar këtë hap si “asgjësim i sistemit të drejtësisë”.
“Edi Rama, për të mbrojtur krimet e tij monstruoze dhe vjedhjet e pallogaritshme, po kalon në veprime të tjera, në asgjësimin e sistemit të drejtësisë, në miratimin e ligjeve për të mbrojtur veten dhe bandën e tij plaçkitëse në qeveri”, tha Berisha.
Në një konferencë me gazetarët, kryetari i PD-së u shpreh se amendamentet që kërkon të sjellë PS në Kuvend, kanë vetëm një qëllim, “të mbrojnë personin Edi Rama dhe anëtarët e organizatës së tij kriminale.”
Berisha theksoi se pezullimi nuk nënkupton pezullimin e asnjë funksioni në vend, por nënkupton ndëshkimin në emër të interesave të qytetarëve ndaj zyrtarëve të lartë që përdorin pushtetin për të vjedhur.
“Pezullimi synon mbrojtjen e institucioneve, ligjshmërinë e tyre dhe funksionimin e tyre në përputhje me ligjin”, tha ai.
Berisha: Edi Rama, për të mbrojtur krimet e tij monstruoze, për të mbrojtur vjedhjet e tij të pallogaritshme, po kalon në veprimtari të tjera, në asgjësimin e sistemit të drejtësisë, në miratimin e ligjeve për të mbrojtur veten e tij dhe bandën e tij plaçkitëse qeveri.
Amendamentet që kërkon të sjellë pas reagimit të fuqishëm dhe kartonit të zi që i nxorën në Bruksel, janë amendamente që kanë si qëllim kryesor të mbrojnë personin Edi Rama dhe anëtarët e organizatës së tij kriminale.
Pezullimi i zyrtarëve nga detyra për keqbërjen e tyre ndaj qytetarëve, është një nen, është një ligj, është një e drejtë ligjore kushtetuese e prokurorisë, e institucionit të akuzës të çdo vendi. Është një e drejtë që ligjvënësit u kanë njohur prokurorëve dhe gjykatësve për të mbrojtur interesat e qytetarëve nga keqbërësit zyrtarë të lartë.
Është një e drejtë e institucionit të akuzës dhe gjykatave, e sanksionuar edhe në opinionin e Komisionit të Venecias për Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, konkretisht nenit korrespondues të nenit 224 të Kodit të Procedurës Penale të Shqipërisë. Pra, pezullimi në mënyrë absolute nuk nënkupton pezullimin e asnjë funksioni në vend. Nënkupton ndëshkimin në emër të interesave të qytetarëve të zyrtarëve më të lartë që përdorin pushtetin për të vjedhur.
Pezullimi, përkundrazi synon mbrojtjen e institucioneve, mbrojtjen e legjitimitetit të tyre, integritetit të tyre, funksionimit të tyre në përputhje me ligjin. Kjo që po ndodh po ndodh nga një kryehajdut në rreth të kuq, i cili, të dashur qytetarë dhe qytetare, ka jo një, jo 10, jo 100, por ka qindra e qindra firma për plaçkitje dhe grabitje, qoftë të buxhetit, qoftë të taksave tuaja, qoftë të pasurive tuaja publike. Edi Ramës i ka ardhur fundi.
© Panorama.al











