Deputetja e larguar nga Partia Socialiste, tashmë e pavarur, Marjana Koçeku ka paralajmëruar banorët e Thethit për Paketën e Maleve pak ditë pasi kryeministri Edi Rama mbajti një takim atje dhe mbrojti nismën e tij.
Përmes një reagimi në rrjete sociale drejtuar banorëve të Shalës, Shoshit dhe Pultit, Koçeku, e njohur si Neomalësorja, u shpreh se Paketa e Maleve nuk përfaqëson zhvillim, por rrezikon të sjellë tjetërsimin e pronave të banorëve.
“Nëse doni me qenë shërbyes e lypsarë n’tokat tueja, atëherë pranojeni hak Paketën e Maleve, por di me ju thanë se malet tona nuk futen në paketë, dhe se treva jonë ka ditë me e ruejtë identitetin e vet për shekuj me radhë. As nuk asht pushtu e as nuk asht shitë. Dhe ju duhet me e pasë parasysh, secili prej jush, se pushtimet gjithmonë kanë ardhë me maska të reja, që ju të mos i njihni.”, thotë ajo.
Ajo u bëri thirrje banorëve që të mos joshen nga premtimet për zhvillim, por fillimisht të kërkojnë njohjen e pronësisë dhe të drejtën për të vendosur vetë mbi pronat e tyre.
Sipas Koçekut, zhvillimi nuk mund të quhet i tillë nëse i largon banorët nga tokat e trashëguara dhe i kthen ata “vasalë e shërbëtorë” të të tjerëve.
“Kështu që para se me pranue çfarëdolloj premtimi për “zhvillim”, kërkojeni njiherë atë çka ju asht mohue deri tash: pronën tuej, dhe të drejtën me vendosë vetë se çka bahet me pronën tuej. Zhvillimi që ju nxjerr prej tokës e ju kthen në vasalë e shërbëtorë të dikujt tjetër, nuk ka si me u quejtë zhvillim, përndryshe ju do ishit “zhvillue” me kohë.”, shton ajo.
Reagimi i plote:
Të dashtun banorë të Shalës, Shoshit e Pultit,
Përfshimja e zonave tueja në Paketën e Maleve, siç asht ba e ditun këto ditë, nuk asht shpëtimi i atyne trojeve, por fillimi i nji tjetërsimi që pasojat ka me i pasë aq negative sa ju s’keni me mujtë ma me i kontrollue ato toka.
Nëse doni me qenë shërbyes e lypsarë n’tokat tueja, atëherë pranojeni hak Paketën e Maleve, por di me ju thanë se malet tona nuk futen në paketë, dhe se treva jonë ka ditë me e ruejtë identitetin e vet për shekuj me radhë. As nuk asht pushtu e as nuk asht shitë. Dhe ju duhet me e pasë parasysh, secili prej jush, se pushtimet gjithmonë kanë ardhë me maska të reja, që ju të mos i njihni.
Unë e di se, çfarëdo çmimi që ata munden me ju ofru, ju nuk i lëshoni tokat e t’parëve, qoftë edhe veç për faktin pse janë t’parëve… se malsori ka qenë dhe asht zot n’tokë t’vet. Por tash e vetmja mënyrë me jua marrë, asht tu spekulu përmes ligjit me pretekstin se ju do mundeni ma n’fund me i zhvillue ato toka, a ndërkohë nuk keni as tituj pronësie, as rrugë, as energji e as kushtet e nji infrastrukture që jua siguron nji gram jetë të mirë. S’keni ditë kurrë me i kërkue ato kushte!
Kështu që para se me pranue çfarëdolloj premtimi për “zhvillim”, kërkojeni njiherë atë çka ju asht mohue deri tash: pronën tuej, dhe të drejtën me vendosë vetë se çka bahet me pronën tuej. Zhvillimi që ju nxjerr prej tokës e ju kthen në vasalë e shërbëtorë të dikujt tjetër, nuk ka si me u quejtë zhvillim, përndryshe ju do ishit “zhvillue” me kohë.












