Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca theksoi se vendimi i Gjykatës Administrative për të rrëzuar padinë e kryebashkiakut të Tiranës për emërimin e prokurorit që e hetoi, Ols Dado, ishte i pritshëm.
Në një komunikim për mediat, Ndreca theksoi se me këtë vendim, sistemi i drejtësisë tregoi edhe njëherë se nuk ka aftësinë për t’u vetëkorrigjuar. Sipas tij, të gjithë e dinë se Dado nuk është emëruar në mënyrë të ligjshme.
LEXO EDHE: Gjykata Administrative rrëzon padinë e kryebashkiakut Veliaj ndaj prokurorit që e hetoi
Ai paralajmëroi gjithashtu se do të shkojnë në Apel menjëherë pasi gjykata të zbardhë vendimin e arsyetuar.
“Ishte vendim i pritshëm. E vetmja mënyrë për të shpëtuar nga shqyrtimi në themel i të vërtetës ishte moslegjitimimi. Me fjalë të tjera ishte moslejimi që ti të flasësh dhe të shprehësh argumentet e tua para gjykatës. Më shumë sesa pranimi i një padie ishte një test për sistemin dhe në këtë rast të gjykatës Administrative se sa e ka aftësinë për të vetëkorrigjuar problematikat që sistemi ka. Zoti Dado nuk është emëruar në mënyrë të ligjshme. Gjatë këtij procesi, nuk ka thënë se është emëruar në mënyrë të ligjshme.
Edhe në këtë rast sistemi nuk e tregoi aftësinë për t’u vetëkorrigjuar dhe shqyrtuar problematikën që vetë sistemi ka. Nuk ka problem më të rëndë sesa emërimi i një prokurori që ushtron funksionin pa atribute ligjore dhe me akte të paligjshme. Kjo është tashmë një e vërtetë që nuk mbulohet me asnjë lloj vendimi procedurial. Nuk lidhet vetëm me Veliajn, me bashkinë e Tiranës, por me pasojat që po shkakton një vendim i tillë te të gjithë qytetarët e Tiranës por edhe me vetë sistemin e drejtësisë.
Ky vendim është tregues i dështimit të vetë sistemit të drejtësisë për t’u vetëkorrigjuar. Barazia para ligjit funksion edhe për prokurorët e gjyqtarët.”, tha Ndreca.
© Panorama.al












