Prokuroria e Gjirokastrës ka kërkuar 30 vite burg për Thoma Mastorën, autorin e vrasjes së çiftit të të moshuarve Kosta dhe Kleoniqi Ilia në Dropull. Ngjarja e rëndë u shënua më 2 maj të vitit 2024 në fshatin Bodrishtë.
Organi i akuzës thotë se nga hetimet ka rezultuar se Mastora është fajtor për krimin dhe për rrjedhojë ka kërkuar dënimin me 30 vite.
“Hetimet mbi procedimin penal nr.240, të vitit 2024, arritën në përfundimin se i pandehuri Th.M., është fajtor dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër në paraqitjen e diskutimit përfundimtar kërkon dënimin e tij me 30 vite burgim për vrasjen e çiftit të të moshuarve K.I. dhe K.I., në fshatin Bodrishtë, Dropull.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjirokastres.
Shkak për vrasjen u bë një konflikt i çastit në banesën e të moshuarve që përshkallëzoi në përdorimin e sendeve të forta. Pas vrasjes, Thoma Mastora u largua nga vendi i ngjarjes duke e lënë çiftin Kosta e Kleoniqi Ilia, 80 e 84 vjeç, të vdekur në banesë.
Njoftimi i Prokurorise:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër, në përfundim të hetimeve dhe shqyrtimit gjyqësor kërkon 30 vite burg për shtetasin Th. M. i akuzuar për veprën penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal.
Hetimet mbi procedimin penal nr.240, të vitit 2024, arritën në përfundimin se i pandehuri Th.M., është fajtor dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër në paraqitjen e diskutimit përfundimtar kërkon dënimin e tij me 30 vite burgim për vrasjen e çiftit të të moshuarve K.I. dhe K.I., në fshatin Bodrishtë, Dropull.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.
© Panorama.al












