Sa larg Europës, komunikimi ynë kryeministror!

Jul 24, 2026 | 8:12

NGA DR.JORGJI KOTE

JORGJI KOTE

Për shkak të pozicionit si lider i Partisë së shumicës parlamentare dhe kryetar qeverie, komunikimi kryeministror në vendet me demokraci liberale ka peshë dhe rëndësi të veçantë për krijimin e frymës mobilizuese, të besueshmërisë dhe vendosmërisë për zbatimin e programit zgjedhor.

Ndaj nëpërmjet shkollimit dhe trajnimeve që te ne mungojnë, atje i kushtohet rëndësi e posaçme përgatitjes së politikanëve në fushën e gjuhës politike, të folurit publik dhe komunikimit. Problemi i parë i madh në vendin tonë është se edhe pse 13 vite në pushtet, te ne nuk bëhet dot dallimi midis Edit, opinionistit të dikurshëm dhe Kryeministrit Rama. Madje, në shumë raste, gjuha e tij politike bie poshtë nivelit të një opinionisti mediokër për shkak të frymës negative, përçmuese dhe ofenduese, shpesh vulgare dhe banale, aq sa nuk e shquan dot nga ato të njeriut të rrugës.

Defekti tjetër është se ai flet me të njëjtën gjuhë dhe fjalor në të gjitha rastet, ngjarjet dhe vendet, duke nënvleftësuar dinjitetin, serioziten dhe solemnitetin! Edhe në ceremoninë festive të 35-vjetorit të themelimit të PS-së, ai nuk hoqi dorë nga sulmet dhe qesëndimet ndaj opozitës, shoqërisë civile dhe protestës, në vend që të ftonte përfaqësues të tyre në atë ceremoni, siç veprohet kudo në Europë! Krejt ndryshe nga Rama, kryeministrat liberalë europianë shquhen për kujdesin, madje fanatizmin që tregojnë në zgjedhjen e çdo fjale dhe fjalie. Kush ka pasur rastin të dëgjojë kryeministrat e tjerë, madje edhe në rajonin tonë sheh se ata flasin me ekonomi fjale, shkurt dhe thjesht, me tone qetësuese, pozitive, pa etiketime, pa emra dhe sulme politike, me një fjalor tejet edukativ dhe “higjienik”. Ata nuk hyjnë fare në debate me qytetarët e tyre, ca më pak t’i sulmojnë as në rrjetet sociale.

Asnjë kryeministër tjetër, as në Ballkanin Perëndimor nuk përdor një fjalor të tillë banal dhe komunikim të tillë poshtërues. Kush ka pasur rastin t’i ndjekë liderët europianë por jo vetëm ata, e sheh se si përpara se të flasin, ata “matin shtatë herë dhe presin një herë”. I kam ndjekur edhe ditët e fundit Kancelarin Merz dhe Presidentin Macron në intervistat tradicionale në prag të pushimeve verore. Nuk gjen te ta sulme ndaj opozitës, medias dhe individëve të veçantë, vetëm fakte, argumente dhe pozitivitet! Sepse çdo fjalë peshon në besimin publik dhe në zgjedhje, ajo shton ose pakëson votat.

Vetëm se atje ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa te ne ka thjesht votime të mbuluara me një cipë formale pluralizmi, ku me votën bëhet gjithçka si të ishte një mall krejt i zakonshëm! Ndaj, në këtë drejtim Rama ka se ç’të mësojë nga homologët në Europë, të cilët edhe pse kanë opozita shumë më të agresive se e jona sillen në mënyrë të kulturuar dhe pa asnjë sulm, sharje dhe ofendim, ca më pak personal.

Kancelari Merz si edhe paraardhësja e tij Merkel asnjëherë nuk ka përdorur fjalë të papërshtatshme, as ndaj AfD-së! Kjo mund të thuhet edhe për Melonin, Mitsotakis, Sanchez e të tjerë! Asnjë lider tjetër në Europë nuk përdor slogane të tilla super partiake dhe të politizuara se “PS-ja është e vetmja partia që na çon në Europë, apo “Me Edin dhe Partinë” që ngjan si dy pika uji me parullën e dikurshme “Me Enverin, me partinë, socializmit do t’ia mbërrijmë” etj. Apo edhe retorika e tij “e pse 50 dhe jo 100 vjet me PS-në në pushtet”! Slogane të tilla në Europën demokratike do shkaktonin tërmete politike dhe rrëzimin e qeverisë! Ndërsa Rama bën të kundërtën; në vend që të shpjegojë qartë dhe qetë pozicionin dhe problemin në fjalë me shifra, vendime dhe zotime ai “hidhet nga dega në degë” me sulme verbale, me kunja, batuta, tallje, përqeshje dhe bullizma, me epitete përjashtues, fyes, monopolizues, me fjalime pa fund dhe me sulme personale.

Elementë që nuk i lejohen as edhe një qytetari të thjeshtë e jo më një Kryeministri. Këtë gjuhë politike denigruese dhe nihiliste Rama po e shfaq dhunshëm edhe në mbi 50 ditët e Protestës madhështore. Mund të thuhet pa frikë se ua ka kaluar edhe Byroistëve në atë fillim të viteve 90. Kiji inatin por jepu hakun, asnjë prej tyre, ca më pak Ramiz Alia nuk ka përdorur epitete të tilla me “sorra, korba, delirantë, sharlatanë….” dhe emërtime të tjera të papranueshme; kur duhet të merret me përmbajtjen e Protestës dhe jo me emra të përveçëm! Byroistët atëherë nuk kanë sajuar aq shumë armiq të brendshëm dhe të jashtëm sa Rama&co! Dhe për këtë fajin nuk ia ka askush, as opozita që gjetkë në Europë është shumë më e madhe dhe më agresive.

Ja shihni, Presidentin Macron që “nuk bëri zë” as etiketoi njeri, nuk shau dhe as bërtiti edhe kur jelekverdhët e sulmuan mu në zemër të Parisit, në Elize, apo edhe kur i ranë me shpullë! Po kështu, laburisti Keir Starmer, vetëm shprehu keqardhjen por në fund e falënderoi ministrin e mbrojtjes që u largua nga qeveria, duke çuar në rënien e tij; edhe pse kishte vetëm 2 vjet që kishte marrë votat plebishitare të elektoratit, me zgjedhje të lira dhe të ndershme! Ndërkohë, asnjë kryeministër tjetër në botë nuk pretendon të jetë pronar i të Vërtetës, ca më pak absolute si te ne. Ata japin versionin fakte dhe argumente, pastaj dëgjohen ekspertët, publiku jep verdiktin dhe koha gjykon drejtësinë e tyre. Probleme të ngjashme paraqet Rama edhe në të folurit publik jashtë vendit.

Njëherë është koha t’i pakësojë ecejaket e pafund, si asnjë kryeministër tjetër në botë, aq sa ia kalon edhe Ministrit të Jashtëm! Duke qenë “java shtatë dhe dita tetë” jashtë vendit, doemos që ka shterim dhe deficit mesazhesh; për pasojë, ajo çka shohim dhe dëgjojmë prej tij jashtë vendit janë prapë kryesisht anekdota, shaka dhe batuta, të shoqëruara me gjuhë të papërshtatshme trupi, me këmbë dhe me duar! Të cilat nuk rekomandohen në artikulimin e një kryeministri sidomos jashtë vendit; veç të tjerash, sepse te të huajt ato ngjallin dyshime dhe keqkuptime të ndryshme. Abuzon edhe me gjatësinë trupore, duke mos lënë rast pa e përmendur, madje edhe në tribunën e lartë të OKB-së! E përmend gjatësinë edhe si “alibi” ndaj akuzave për vjedhje dhe korrupsion; madje, edhe “Minishengenin” ballkanik e quajti “Ballkan i Hapur” vetëm se nisur nga shtatgjatësia nuk i pëlqente fjala “Mini”!

Defekti tjetër në këto evente është se në vend të shpjegojë dhe tregojë punën dhe sfidat e vendit, Rama i kthen ato në një masë të madhe në shaka bajate të përsëritura. Vërtet i gajas dhe i argëton të pranishmit, mirëpo nuk është ky misioni i Kryeministrit dhe i pranisë atje. Se për këtë ka plot aktorë dhe komikë të shquar. Përmendim këtu “vërejtjen” që i bëri Macronit pse ai nuk e uroi që kishte vendosur paqen me Aerbaixhanin, duke iu referuar me humor të trashë një lapsusi të Presidentit Trump; apo kur Melonin në takimet zyrtare e quan protektore dhe i përulet në gjunjë, kur fare mirë mund t’i puthë dorën! Mesa duket e gënjen mendja që meqenëse ulet në të njëjtën tryezë me më të mëdhenjtë e botës, mund të sillet dhe të flasë si në Asamblenë e PS-së!

Por, harron se aty ka hierarki, madje të rreptë; ku liderët nuk çmohen nga gjatësia e trupit, ca më pak nga atletet dhe benevrekët, por nga pesha reale gjeopolitike e vendit që ata përfaqësojnë. Gjuhën, kunjat, metaforat, insinuatat dhe batutat më të papërshtatshme Rama i ka përdorur për vite me radhë për BE-në dhe marrëdhëniet me të. Kështu, anëtarësimin tonë aty e ka quajtur vazhdimisht krushqi, martesë, se demek ne, dhëndëri jemi gati, por nuk po vjen nusja nga Brukseli dhe broçkulla të tjera. Në fakt, anëtarësimi ynë në BE mund të krahasohet me një maratonë, me një vrapim të gjatë me pengesa, ose me një mal të lartë plot shkëmbinj; por jo krushqi dhe martesë, sidomos këto të sotmet, të cilat shpesh “më shpejt prishen se sa ndreqen”! Tani, vërtet që edhe liderë të tjerë bëjnë gjëra që tërheqin vëmendjen, ama kjo me tematikë, si pjesë përbërëse e misionit të tyre edukues dhe jo false, e shtirur dhe e sajuar.

Kështu, në vizitën e tij në muajin maj në Armeni, Macron, gjatë banketit shtetëror interpretoi hitin emblematik muzikor “La Boheme” të këngëtarit mitik franko-armenian, Charles Aznavour bashkë me Presidentin dhe Kryeministrin armen! Ndërsa gjatë vizitës në Najrobi kohët e fundit, ai bënte vrap në distancë të gjatë me kampionin olimpik. Ish-Zv.Kancelari dhe ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer ka qenë pjesëmarrës i spikatur i maratonës së Nju Jorkut. Mbretëresha e Belgjikës, Mathilda vazhdon të marrë pjesë në ecjen sportive 20 km ; dhe këtë nuk e bën për “të vjedhur” eventin, por për të nxitur veprimtarinë fizike. Megjithatë, krahas gallatave, në disa takime dy dhe shumëpalëshe Rama nuk mungon të tregojë arrogancë dhe gjuhë të drunjtë.

Rikujtojmë kërcënimet disa vite më parë ndaj pronarit të TV “Agon Channel”, duke çuar në gjobën e majme prej 108 milionë dollarë! Brutale dhe e paprecedentë ishte fjala e tij në Strasburg në muajin Tetor 2023 dhe në takimet në Bundestag në Berlin. Aq sa në shenjë proteste, ia anuluan darkën në Strasburg dhe në Berlin, diçka e padëgjuar më parë! Edhe në panele dhe intervista të ndryshme të javëve të fundit, “gërriset” dhe sherrosur me panelistë dhe gazetarë me emër. Vetëm e vetëm që të dëgjohet, të shihet, të fitojë e “të vjedhë” vëmendjen, edhe pse vendi nuk fiton asgjë prej tyre! Edhe në përfundim të Samitit të NATO-s më 8 korrik në Ankara, në vend të fliste për rezultatet e tij historike dhe rolin e vendit tonë, u hodh sërish në tallje me akuza ndaj atyre që kishin parashikuar se samiti i ardhshëm nuk do të zhvillohej në Tiranë! “Po ja, që ai do të zhvillohet atje, duan apo nuk duan disa”! Madje i rreshtoi dhe ministrat si “yllkat e Partisë” që t’i mbanin “iso” si dikur në kor. Kur në fakt, mbetet ende e pasigurt nëse samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Tiranë, qoftë edhe në vitin 2028!

Pastaj, këtë parashikim nuk e kishte bërë as opozita, as protesta dhe as shoqëria jonë civile, por rrjetet më të mëdha mediatike botërore dhe think tanket më të njohura amerikane. Atëherë pse duheshin shposhitur ata në Shqipëri që vetëm sa e kishin përcjellë me shumë të drejtë këtë shqetësim dhe dyshim me burime te huaja?! Ca më tepër kur dyshimi qytetar ndaj kujtdo qeverie është element përbërës që e shëndosh demokracinë, e forcon transparencën dhe ndërgjegjësimin publik. E njëjta sjellje e papërshtatshme u shfaq pas deklarimit skandaloz të ministres serbe Snezhana Paunoviç për spastrimin etnik të Kosovës. Pas një heshtjeje të gjatë, në vend që ta dënonte hapur deklaratën, Rama sulmoi ata që kërkuan qëndrim prej qeverisë, se demek “ata paskan gabuar adresën”! E çfarë do t’i kushtonte po të shprehej qartë dhe fort kundër Paunoviçit kur ai flet dhe bërtet për gjithçka, por kur vjen puna te Beogradi dhe Vuçi ai çuditërisht “bie squk”?

Pastaj, Paunoviç nuk është as çyryk dhe as e çmendur siç thotë Rama, por zëdhënëse besnike e Vuçiçit; ndaj, ajo e di fort mirë se çfarë bën dhe çfarë thotë! Nuk po zgjatemi te kjo çështje se katalogu komunikativ i Ramës për Kosovën është tejet negativ. Mjafton të kujtojmë deklarimin e tij të paradokohshëm se sakrifica që i kërkohen Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, dmth krijimin e Asosiacionit, aspekti më i ndjeshëm dhe më shpërthyes për Prishtinën janë “një copë kek” ose shqip bukë e djathë krahasuar me sakrificat e Serbisë! Së fundi, të gjitha këto dhe plot fakte të tjerë dëshmojnë se gjuha politike dhe në përgjithësi komunikimi i Kryeministrit Rama është shumë larg modelit dhe përvojës së BE-së.

Shyqyr që meqenëse komunikimi i lidershipit politik në BE merret si e mirëqenë, paçka se te ne nuk është i tillë, ajo nuk ka vendosur kushte. Mirëpo, kjo kërkon punë, seriozitet dhe përkushtim edhe nga Kryeministri i vendit!

/GazetaPanorama

© Panorama.al

Te lidhura