Një rast i humbur i diplomacisë kulturore shqiptare

Jul 23, 2026 | 9:56

Luan Zyka

NGA LUAN ZYKA*

Në një nga kinematë e Selanikut,  me teknologji Mix, sapo ndoqa filmin e mrekullueshëm “Odiseja” (The Odyssey ), një prodhim Hollywoodian të  regjisorit të famshëm Christopher Nolan.

Po aq i famshëm është  producenti muzikor i këtij filmi , Ludwig Goransson, tre herë fitues i çmimit Oscar në filma të mëparshëm.

Filmi është mbështetur në historinë e poemës së njohur të Homerit, Odisea, ku përshkruhet kthimi i Odisesë në atdheun e tij pas luftës së Trojës, e cila u mposht nga dinakeria e Kalit te Trojës, të shpikur nga mendja e hollë dhe dinake e Odisesë nga Itaka e Jonit, poshtë Shqipërisë së sotme.

Filmi është një krijim artistik, dhe si i tillë, është në të drejtën e regjisorit dhe grupit të tij, mënyra e përqasjes, e përfshirjes së elementëve që ata përzgjedhin në krijimin e veprës artistike.

Në përzgjedhjen e autorëve ishte edhe përfshirja në kolonën zanore të pjesëve nga muzika tradicionale shqiptare.

Përfshirja e iso-polifonisë shqiptare dhe tingujve të fyellit tradicional në kolonën zanore të filmit “The Odyssey”, nga kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, përbën një nga momentet më domethënëse të prezantimit të kulturës shqiptare në kinemanë botërore. Vetë kompozitori Göransson ka treguar në intervistën e tij në “New York Magazine” se udhëtoi në jug të Shqipërisë dhe qëndroi një javë atje për të regjistruar iso-polifoninë dhe tingujt autentikë të fyellit të barinjve, në kërkim të një identiteti muzikor sa më të lashtë dhe autentik për filmin.

Ky është një sukses artistik që i kalon kufijtë e muzikës. Është një mundësi e rrallë për diplomacinë kulturore shqiptare. Iso-polifonia, e njohur nga UNESCO si Trashëgimi Kulturore Jomateriale e Njerëzimit, u bë pjesë e një produksioni hollywoodian me shikueshmëri globale.

Përgëzime muzikologut Vaso Tole, grupit polifonik “Të rinjtë e Delvinës” dhe fyelltarit virtuoz Vendim Kapaj që bashkëpunuan me kompozitorin Goransson, dhe u bënë pjesë e përfshirjes së muzikës tradicionale shqiptare në majën e kinematografisë botërore.

Por këtu fillon t’më brej shqetësimi im.

Në film nuk përmendet burimi kulturor i pjesëve shqiptare muzikore. Ndoshta ky fakt nuk është në traditën e zakonshme filmave.

Por Shqipëria nuk e ka luksin e mos vëmendjes ndaj rasteve të tilla, ku përmendja e burimit kulturor nuk është vetëm një çështje mirënjohjeje artistike, por edhe një mundësi e vyer për diplomacinë kulturore të Shqipërisë.   Nuk pati një strategji promovimi, një komunikim të organizuar apo një nismë diplomatike që ta shndërronte këtë moment artistik në një promovim të imazhit kulturor të Shqipërisë.

Diplomacia kulturore nuk konsiston vetëm në organizimin e veprimtarive artistike. Ajo matet me aftësinë për të identifikuar momente të tilla, për t’i promovuar dhe për t’i kthyer në instrumente të prestigjit kombëtar. Kur një kompozitor i përmasave botërore zgjedh tingujt e traditës shqiptare për të ndërtuar universin muzikor të një filmi epik, kjo nuk është thjesht një histori kulture; është një histori që duhet të ishte rrëfyer nga vetë shteti shqiptar.

Në një botë ku identitetet kulturore konkurrojnë në opinion artistik por edhe më gjerë global, Shqipëria nuk mundet që arritje të tilla ti kalojë në heshtje pa u njohur nga opinioni ndërkombëtar.

Mendoj se pas suksesit botëror të këtij filmi, do të rritet interesimi i njerëzve për kulturën e lashtë, për studimin e veprave të Homerit, si edhe për rritjen e turizmit në ishullin e Itakës në përjetimin e takimit të Odisese me Penelopën pas “odisesë” së tij shumëvjeçare larg familjes.

Por askush në opinionin botëror nuk do mësojë nga filmi për muzikën shqiptare aty, përveç shqiptarëve që edhe këtë rradhe do shullohen més vedí me krenari për vlerat e tyre të lashta kulturore.

Sepse Iso-polifonia dhe fyelli shqiptar nuk kanë nevojë vetëm të dëgjohen në Hollywood; ato duhet të shoqërohen edhe nga zëri i një diplomacie kulturore që di t’i njohë, t’i mbrojë dhe t’i promovojë si pasuri kombëtare shqiptare.

*Ish -Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës

 

© Panorama.al

Te lidhura