NGA ALBINOT MALOKU
Procesi i formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit 2026 po zhvillohet në një klimë të karakterizuar nga polarizimi politik, mungesa e besimit ndërmjet partive dhe nevoja për kompromis institucional.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli subjekti më dominant politik, rezultati zgjedhor prej 53 deputetëve plus 10 deputetë nga partitë politike të minoriteteve, asaj i siguron shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme, mirëpo jo edhe dëshirën për ta pasur edhe pozitën e shefit të shtetit, për votimin e të cilit në Kuvendin e Kosovës duhet të jenë 81 deputetë prezent. Qejf të cilin me të drejtë nuk ia plotësojnë subjektet tjera shqiptare.
Këtu merr peshë dhe bëhet i domosdoshëm ndërtimin e partneriteteve politike! Hapi i parë i kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për të ftuar në konsultime liderët shqiptarë të partive të tjera parlamentare ishte në përputhje me përgjegjësinë që i takon subjektit më dominant në Kuvend. Këto takime, mesa u pa kishin më shumë karakter eksplorues sesa negociues dhe për të konkluduar një marrëveshje. Si të tilla, takimet mund të konsiderohen pozitive ngase shërbyen për të konfirmuar pozicionet tashmë të njohura të partive politike, pa prodhuar ndonjë rezultat konkret ose sinjale të qarta për një marrëveshje.
Marrëdhënia ndërmjet LVV-së dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) mbetet e bllokuar nga një histori e gjatë mosbesimi politik. Refuzimi i vazhdueshëm i Albin Kurtit për një bashkëpunim me PDK-në, i shprehur publikisht gjatë viteve të fundit, e ka kufizuar ndjeshëm hapësirën për dialog real. Në anën tjetër, vendimi PDK-së për të deklaruar që në fazën fillestare se do të mbetet në opozitë përfaqëson një pozicionim të qartë strategjik, duke shmangur negociata të gjata pa perspektivë.
Paçka se kjo e redukton ndjeshëm numrin e alternativave për krijimin e shumicës parlamentare, dyshimet janë që lideri i subjektit të parë politik, nga mospasja e vullnetit, sikur nuk ka qenë muhabetmirë me liderin e subjekti të dytë politik. Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) sikur mbeti partneri më i mundshëm qeverisës për LVV-në. Të dy drejtuesit e këtyre subjekteve e lanë të hapur mundësinë e vazhdimit të bisedimeve, por pengesat nuk janë vetëm programore.
Përvoja e mëhershme e bashkëqeverisjes ndërmjet tyre ka prodhuar mosbesim politik, ndërsa mënyra e ndërtimit të partneriteteve nga LVV-ja është perceptuar shpesh si paternaliste dhe jo mjaftueshëm gjithëpërfshirëse. Për më tepër, edhe brenda vetë LDK-së nuk ekziston konsensus i plotë për një koalicion me LVV-në, çka e bën procesin negociues më kompleks. Nga ana e LDK-së vullnetmirë për partneritet me LVV-në ka treguar posaçërisht ishministri i Qeverisë Kurti I, tani kryetar i LDK, Lumir Abdixhiku.
Mundësia e një partneriteti mes këtyre dy subjekteve politike mori tatëpjetën edhe më tej nga zhvillimet e brendshme në LDK. Kërkesat e paraqitura për mbajtjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm dhe sfidimi i lidershipit të Lumir Abdixhikut sikur e dobësuan pozitën negociuese të kreut të partisë. Dihet që një udhëheqje që përballet me kontestime të brendshme e ka më të vështirë të marrë vendime strategjike afatgjata, veçanërisht për një marrëveshje qeverisëse. Ndërkohë kjo krizë reflekton një problem më të gjerë të demokracisë së brendshme në LDK, ku proceset vendimmarrëse shpesh janë shoqëruar me mungesë konsensusi dhe paqartësi politike.
LDK ka kohë që nuk po e gjen identitetin e saj dhe kjo sigurisht që ka ardhur nga fakti se kreu i partisë është zgjedhur jo nga poshtë lartë por më shumë përmes një fuqie lobuese. Edhe pozicioni i lëkundur i tij i cili sikur u rikonfirmua me 31 janar 2026 nuk ishte aq i fuqishëm për ta bërë Lumir Abdixhikun kryetar të të gjithëve në parti. Moment ky mjaftë penalizues për të! Nga ana tjetër, Aleanca ka ndjekur një qasje më pragmatike.
Ajo nuk është pozicionuar si pengesë për formimin e institucioneve, por ka kushtëzuar mbështetjen e saj me angazhime të qarta për ruajtjen e orientimit euroatlantik të Kosovës, forcimin e partneritetit me aleatët dhe adresimin e prioriteteve sociale, ekonomike dhe infrastrukturore. Ky pozicion e vendos Aleancën në rolin e një faktori potencial stabilizues, duke e lidhur mbështetjen politike me objektiva programore dhe jo vetëm me ndarjen e pushtetit.
Në kushtet e sistemit kushtetues të Kosovës, një marrëveshje e kufizuar vetëm në zgjedhjen e Presidentit nuk do të ishte e mjaftueshme për të garantuar stabilitet institucional. Një zgjidhje afatgjatë do të kërkonte një marrëveshje gjithëpërfshirëse që të adresojë ndarjen e përgjegjësive për drejtimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit, duke krijuar një arkitekturë funksionale të bashkëqeverisjes.
Në aspektin numerik, LVV disponon avantazhin si subjekti më i madh parlamentar, por jo edhe vullnetin e dijen për ta njohur marrëveshjen si pjesë të ecjeve politike në Republikën e Kosovës. Kompromisi është jo vetëm zgjedhje politike, por domosdoshmëri kushtetuese. Përveç partive shqiptare, rëndësi të veçantë marrin edhe deputetët e komuniteteve joshumicë, të cilët mund të luajnë rol vendimtar në sigurimin e shumicës parlamentare. Në këtë kuadër, përjashtimi praktik i Listës Serbe nga kombinimet politike gjithsesi e kufizon më hapësirën e manovrimit, mirëpo përdersia ky formacion politik vazhdon të jetë dora e Beogradit në Kosovë dhe jo zëri i qytetarit serb të Kosovës, mirë që është bërë standard mosbashkëpunimi me të nga subjektet tjera politike.
Nëse analizohen zhvillimet aktuale, skenari më realist duket të jetë edhe një procesi i ri i jashtëzakonshëm zgjedhor sesa shpresa tek vazhdimi i negociatave ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, i kombinuar me mbështetje të kushtëzuar nga Aleanca dhe deputetët e komuniteteve joshumicë. Megjithatë, mosrealizimi i këtij skenari varet nga gatishmëria e palëve për të tejkaluar konfliktet politike të së kaluarës dhe për të ndërtuar një marrëveshje mbi bazën e kompromisit institucional
Autori, politolog nga Kosova
/GazetaPanorama
© Panorama.al












