Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara ka ndaluar fotografët e mediave të marrin pjesë në konferencat informuese për konfliktin e vazhdueshëm ushtarak mes SHBA dhe Izraelit kundër Iranit, pasi u publikuan fotografi të sekretarit amerikan të Mbrojtjes Pete Hegseth që, sipas stafit të tij, nuk e paraqisnin në mënyrë “të favorshme”.
Sipas raportimit të The Washington Post, Pentagoni vendosi të përjashtojë fotografët e shtypit nga konferencat për konfliktin në Lindjen e Mesme pas publikimit të këtyre imazheve të Hegseth.
Raporti thekson se konferenca e 2 marsit u mbajt disa ditë pas një goditjeje të përbashkët ushtarake kundër Iranit më 28 shkurt, e cila rezultoi në vdekjen e liderit suprem iranian Ali Khamenei. Ishte gjithashtu hera e parë që sekretari i Mbrojtjes doli në podiumin e sallës së konferencave që nga 26 qershori.
Shumë agjenci ndërkombëtare lajmesh, përfshirë Associated Press, Reuters dhe Getty Images, kishin dërguar fotografë në konferencën për shtyp ku morën pjesë Hegseth dhe gjenerali Dan Caine, kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të SHBA.
Megjithatë, pasi fotografët publikuan imazhet nga konferenca, të cilat shpërndahen gjerësisht në mbarë botën pasi licencohen dhe riprodhohen nga shumë media, anëtarë të stafit të Hegseth u shprehën te kolegët e tyre se nuk ishin të kënaqur me mënyrën se si paraqitej ministri.
Sipas dy personave që kanë dijeni për vendimin, bashkëpunëtorët e Hegseth vendosën më pas të përjashtojnë fotografët nga dy konferencat e radhës në Pentagon, më 4 dhe 10 mars.
Në një deklaratë me shkrim, zëdhënësi i Pentagonit Kingsley Wilson tha: “Për të shfrytëzuar në mënyrë efikase hapësirën në sallën e konferencave të Pentagonit, lejojmë një përfaqësues për çdo organizatë lajmesh nëse nuk ka akreditim, me përjashtim të ‘pool’-eve mediatike. Fotografitë nga konferencat publikohen menjëherë në internet për përdorim nga publiku dhe media. Nëse kjo ndikon në modelin e biznesit të disa mediave, ato duhet të konsiderojnë aplikimin për akreditim në Pentagon”.
Ndërkohë, zëvendëszëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Anna Kelly refuzoi të komentojë vendimin e Hegseth për përjashtimin e fotografëve.
Hegseth, ish-prezantues i Fox News, është përplasur disa herë me median që nga konfirmimi i tij në fillim të mandatit të dytë presidencial të Donald Trump.
Tensionet arritën kulmin në tetor, kur qindra gazetarë të akredituar në Pentagon dorëzuan akreditimet e tyre dhe dhjetëra u larguan nga ndërtesa, duke refuzuar të nënshkruanin një politikë të re që ndalonte gazetarët të kërkonin informacion që nuk ishte miratuar nga qeveria.
Madje, gazeta The New York Times dhe gazetari i saj Julian E. Barnes ngritën padi kundër qeverisë, duke argumentuar se politika shkel garancitë kushtetuese për lirinë e shtypit dhe procesin e rregullt ligjor. Çështja është ende në shqyrtim nga një gjykatës federal në Uashington.
Pas largimit masiv të gazetarëve, mes tyre edhe të The Washington Post, u krijua një grup i ri mediash, kryesisht me orientim politik të djathtë. Këta gazetarë morën pjesë më vonë në një takim prezantues me Hegseth në dhjetor dhe në një konferencë për shtyp me Wilson. Megjithatë, deri javën e kaluar Hegseth nuk kishte mbajtur një konferencë para kamerave për këtë grup të ri mediash.
Fotografët e Pentagonit mbeten të vetmit
Situata ndryshoi pas sulmeve ndaj Iranit. Konferenca për shtyp e 2 marsit nga Hegseth dhe Caine ishte planifikuar fillimisht vetëm për mediat e reja të akredituara. Por kur Pentagoni kërkoi kamera televizive nga rrjetet e mëdha televizive, gazetarët që kishin kthyer akreditimet negociuan një marrëveshje që lejoi disa prej tyre të hynin në sallë.
Ende mbetet e paqartë nëse një fotografi e veçantë – apo të gjitha imazhet e realizuara atë ditë – shkaktuan pakënaqësinë e madhe të stafit të Hegseth.
Sipas burimeve që folën në kushte anonimiteti, kur fotografët u paraqitën në konferencën e së mërkurës së kaluar, atyre nuk iu lejua hyrja. Që nga ajo kohë, në konferencat e Pentagonit lejohen vetëm fotografët që i përkasin stafit të vetë Ministrisë së Mbrojtjes.
© Panorama.al












