Presidenti në largim i SHBA-ve Joe Biden do të heqë Kubën nga lista e vendeve që mbështesin terrorizmin, sipas një raporti të New York Times.
Pas vendimit të presidentit amerikan në largim, në listën e vendeve që mbështesin terrorizmin janë vetëm Siria, Irani dhe Koreja e Veriut.
Gjithashtu Biden do të kërkojë të anulojë një urdhër të lëshuar gjatë mandatit të mëparshëm të Trump, i cili kufizonte disa transaksione financiare me ushtarakë dhe civilë të lidhur me qeverinë kubane.
Ky zhvillim vjen pasi Kuba planifikon të lirojë një numër të konsiderueshëm të burgosurish politikë pas bisedimeve të Havanës me Kishën Katolike.
Donald Trump e përfshiu Kubën në listën e vendeve që mbështesin terrorizmin në vitin 2021, vetëm disa orë para përfundimit të mandatit të tij të parë, duke pretenduar se Havana kishte ofruar vazhdimisht “mbështetje për aktet e terrorizmit ndërkombëtar”, duke strehuar të arratisurit amerikanë dhe udhëheqësit e rebelëve kolumbianë.
Asokohe Kuba mohoi kategorikisht pretendimet e Trump, duke i quajtur ato “shpifje”.
Kjo lëvizje e Trump çoi në “ngrirje” të ndihmës financiare nga SHBA, duke vendosur në mënyrë indirekte barriera “transaksioni” edhe për aleatët e ngushtë të Kubës.
© Panorama.al











