Lideri i opozitës, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Rama se ky i fundit është i tmerruar dhe se po bën gjithçka për të dalë nga rrethi i kuq.
Sipas Berishës, dosja e vjedhjeve të Belinda Ballukut dhe akuzat ndaj Mirlinda Karçanajt janë një gurë i rëndë mbi shpatullat e Edi Ramës, pasi në to është ai i përfshirë,
“Rama është i tmerruar. Rama po bën gjithçka në botë, po shpenzon dhjetëra e qindra milionë që të dalë nga rrethi i kuq, por Rama nuk del nga rrethi i kuq.
Rama nuk shpëton dot nga lidhjet e tij me kartelet e drogës, të cilat tashmë janë evidentuar.
Por duhet t’u them se dosja Balluku dhe dosja e AKSHI-t janë dy dosje që rëndojnë si gur të rëndë, si plumb mbi shpatullat dhe trupin e tij sepse ato faktikisht janë dosja Rama.
Pra nuk është dosja e Mirlindës, as e Belindës, dosja është e Ramës dhe Lindës së Surrelit dhe këtu janë problemet themelore.
Prandaj ai është kaq i tronditur, kaq në panik sa edhe fjalës normale të një fermeri i përgjigjet me arrogancën e një harbuti duke mos kontrolluar veten”, tha Sali Berisha.
AKUZAT PER TAKIMET NE STRASBURG
Berisha foli dhe për akuzat që u ngritën ndaj tij për ndërprerjen e fjalës në takimet në Strasburg. Sipas tij, ndërprerja ishte automatike dhe se në fjalën e tij paraqiti kërkesën për qeveri teknike.
“Fjala në Strasburg për diskutantët është gjithnjë dy minuta dhe ajo ndërpritet automatikisht. E vërteta është se unë e dija këtë, isha i vetëdijshëm dhe natyrisht që pjesën më pikante ia kisha rezervuar Ramës që në minutën e parë, kursë në minutën e fundit unë e dija se ajo ndërpritet, por unë vazhdova se kamera funksionon pavarësisht se zëri shuhet. Mua më interesonte kamera dhe kërkova qeverinë teknike.
Por këta lakej që hapin lajmin, ata janë shushunjat e zeza që kanë marrë miliona nga lotet e rrugëve, që thotë Belinda që ky kaq, ai aq.
Ja këta janë ata të portaleve të qeverisë, mjeranë që si papagaj të depersonalizuar, që pa dalë në mëngjes pështyjnë fytyrën e tyre njëherë dhe pastaj vazhdojnë ditën pa asnjë lloj dinjiteti.
Edhe lajmi tjetër që nuk isha i ftuar, këta tallen me njerëzit, unë jam anëtar i asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës dhe kurrë anëtarët nuk ftohen përveçse në trillimet e Ballës apo Peleshit, kush i përhap ato”, thekson kreu i PD.
© Panorama.al











