Policia e Tiranës ka vënë në pranga Erisjaldo Gjuta 22 vjeç, i dashuri i 18-vjeçares, e cila një ditë më parë u vetëplagos me armë zjarri, në hotelin “Gjuta” në zonën e Saukut.
Erisjaldo Gjuta dyshohet se ka pasur edhe armën me të cilën e 18-vjeçarja qëlloi veten.
Sipas bluve të kryeqytetit, i riu akuzohet për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, kapën dhe ndaluan shtetasin Erisjaldo Gjuta 22 vjeç, i shpallur në kërkim ditën e djeshme për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”., thote policia.
Deshmia e 18-vjeçares
Vajza ka deklaruar për policinë se ka qenë vetëm në dhomë në momentin që është vetëplagosur, ndërsa i dashuri i saj ndodhej jashtë me personat e tjerë.
Sipas burimeve nga forcat e rendit 18-vjeçarja ka pohuar se ka tentuar dhe herë tjetër të dëmtojë veten duke pirë medikamente. “Kam gabuar në jetë”, ka deklaruar ajo.
NGJARJA
18-vjeçarja u plagos me armë zjarri në hotel Gjuta në zonën e Saukut në Tiranë, në dhomën e hotelit në pronësi të familjes së të dashurit të saj, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme (14 shkurt).
Policia ka arrestuar 2 nga pronarët e hotelit, ndërsa 2 anëtarë të familjes Gjuta vazhdojnë të jenë në kërkim.
Pasi 18-vjeçarja ka mbërritur në spital, policia ka këqyrur kamerat e sigurisë dhe ka zbuluar se ngjarja ka ndodhur të Hotel Gjuta, duke çuar në arrestimin e pronarëve Vladimir Gjuta, xhaxhai i 22-vjeçarit me të cilin vajza kishte raport intim, dhe Mirvete Gjuta, nëna e tij, të akuzuar për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Në kërkim u shpallën Sajmir Gjuta 49 vjeç babai i 22-vjeçarit, kushëriri Elvir Gjuta 24 vjeç, të akuzuar për “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
© Panorama.al












