Nga “The Albanian Files”, te pagat e ulëta e çmimet e larta, aktivistja Arvina Lleshi i rikujton qeverisë arsyet pse qytetarët protestojnë: Nesër duam të ndryshojmë!

Jul 24, 2026 | 21:27

Aktivistja Arvina Lleshi i ka rikujtuar qeverisë disa prej arsyeve që kanë nxjerrë qytetarët në protestë prej 55 ditësh kundër kryeministrit Edi Rama.

Nga podiumi i protestës, Lleshi tha se për shkak se “shumë pushtetarë nuk e kanë kuptuar ende pse protestojnë qytetarët”, disa studentë kanë përgatitur një listë me 10 pika që përmbledhin shqetësimet e tyre.

Sipas saj, protestuesit kundërshtojnë situatën ekonomike, politikat sociale dhe vendimmarrjet e qeverisë, duke përmendur ‘The Albanian Files’, përdorimin e të dhënave të tyre nga patronazhistët, çmimet e larta, e situatën në spitale.

“Protestojmë sepse paga mesatare në Shqipëri nuk del as për bukën e gojës. Dhe një thirrje të fundit, sot protestojmë që nesër të ndryshojmë”, përfundoi ajo.

Aktivistja Arvina Lleshi: Meqenëse shumë pushtetarë nuk e kanë kuptuar akoma pse ne po protestojmë, disa studentë kanë nxjerrë një listë me 10 arsye se pse ne po protestojmë.

Protestojmë sepse Shqipëria vazhdon të ketë pensionet më të ulëta në Europë. Protestojmë për “The Albanian Files”, sepse të dhënat tona janë përdorur politikisht nga patronazhistët. Protestojmë sepse i keni lënë studentët pas dore. Protestojmë për çmimet e larta të ushqimeve.

Protestojmë sepse qytetarët nuk bëjnë dot plazh për shkak të resorteve private që ju favorizoni. Protestojmë për lekët e tërmetit që nuk ua keni dhënë akoma shqiptarëve. Protestojmë sepse shqiptarët detyrohen të paguajnë shërbime në privat, pasi në spitalet publike u mungon shërbimi. Protestojmë për Ligjin nr. 21/2024.

Protestojmë sepse paga mesatare në Shqipëri nuk del as për bukën e gojës. Dhe një thirrje të fundit, sot protestojmë që nesër të ndryshojmë.

© Panorama.al

Te lidhura