Një aktivist i ri tha nga sheshi i protestës në ditën e 55-të të saj se besa e kryeministrit Rama që kërkoi sot nga fjalimi i tij në grupin e PS, kishte vdekur që ditën e parë dhe tani nuk kishte mbetur asgjë tjetër veçse të plotësonte kërkesën kryesore të qytetarëve; dorëheqjen.
Ai tha se besa e kryeministrit ra që kur dhunoi nënë Filen dhe fëmijën e saj të sëmurë, për të cilin qytetarët shqiptarë u solidarizuan dhe mblodhën 150 mijë euro, që e ardhmja e saj të jetë me dinjitet.
“Rama na foli sot për besë dhe i jap përgjigje. Besa jote ra ditën që qytetari u tërhoq zvarrë në Zvërnec. Besa që ti na dhe ka vdekur në momentin që godite një nënë që mbronte fëmijën e saj në shesh. Besa jote ka marrë fund, në shesh ka mbetur vetëm besa e shqiptarëve. Besa e shqiptarëve ka shënuar një precedent. Sot, nëna File, shqiptarët i bënë një dhuratë të përjetshme, mblodhëm forcat dhe paratë tona me djersën e ballit dhe jo si bën kjo pseudopolitikë e 35 viteve të fundit. Shqiptarët treguan se jemi aq të bashkuar sa ia dolëm të mbledhim sot 150 mijë euro. E ardhmja e saj ishte në duart tona dhe në vendosëm të ishte një e ardhme e bukur dhe ne i tregojmë se e ardhmja e saj është në dorën tonë. I themi të gjithëve, ejani në protestë se ne do ju mbajmë”, tha i riu nga podiumi.
Më tej ai denoncoi kryeministrin se po bënte përpjekje për të manipuluar sheshin e protestës dhe se tallet me qytetarët. Por i dha mesazhin se pavarësisht përpjekjeve, Rama nuk do arrinte që t’i blinte apo manipulonte.
“Rama po përpiqet me përpjekje manipuluese të na bënte për vete. Por prej 55 ditësh ai ka guximin të tallet me ne, me popullin sovran që të votoi. Jo vetëm që nuk na manipulon dot, por as për të na blerë nuk e arrite dot qëllimin. Nëse do besën, plotëso kërkesën e parë të sheshit dhe jep dorëheqjen. Çfarëdolloj pazari që të bësh ti, pa u pyetur ne ai nuk është legjitim”, tha aktivisti.
Në fund ai i bëri thirrje kreut të mazhorancës, duke e ironizuar se ndoshta po e dëgjonte nga dritarja e Kryeministrisë, që të jepte dorëheqjen.
“Ndaj t’ia përsërisim edhe njëherë se ndoshta është te dritarja, ne kërkojmë dorëheqjen”, përfundoi ai.
© Panorama.al












