Një qytetar nga protesta e 55-të kundër qeverisë i ka drejtuar një mesazh ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, duke e akuzuar se Policia e Shtetit duhet të fokusohet te zbardhja e ngjarjeve kriminale dhe jo te dhuna ndaj protestuesve.
Duke iu referuar ministrit me shprehjen “Besforti i pabesë”, qytetari kërkoi që strukturat e rendit të angazhohen për identifikimin e autorëve të disa ngjarjeve të rënda kriminale dhe arrestimin e Ergys Agasit.
“Zoti ministër, shtrëngojeni kollaren njëherë të lutem dhe mobilizoje policinë për identifikimin dhe arrestimin e autorit të vrasjes së Eglant Koçit, për arrestimin e Ergys Agasit, për identifikimin e trupit të pajetë të Jan Prengës dhe për shumë të tjerë të vrarë që nuk dihet se ku janë”, u shpreh ai.
Ai u shpreh se qytetarët janë mbledhur për një Shqipëri ku nderi nuk blihet me bileta koncertesh dhe ligji nuk shitet me shishe vere, ndërsa u bëri thirrje deputetëve dhe zyratrëve të mos harrojnë se pushteti është i përkohshëm.
“Karriget ndërrohen, emrat harrohen dhe populli mbetet”, u shpreh ai, ndërsa theksoi se shpresën e shqiptarëve nga kjo protestë “nuk mund ta fikë dhuna e Besfortit të pabesë”.
Qytetari: Kam dy fjalë për ministrin e Brendshëm, Besfortin e pabesë. Zoti ministër, shtrëngojeni kollaren njëherë të lutem, dhe mobilizoje policinë për identifikimin dhe arrestimin e autorit të vrasjes së Eglant Koçit para një muaji, për arrestimin e Ergys Agasit, për identifikimin e trupit të pajetë të Jan Prengës dhe për shumë të tjerë të vrarë që nuk dihet se ku janë. Ne nuk kemi dalë këtu të lypim liri dhe mëshirë, sepse ata që lypin liri dhe mëshirë gjunjëzohen para pushtetit. Ne jemi në këmbë dhe liria fitohet vetëm në këmbë.
Për shumë vite na kanë dashur të heshtur, të ulim kokën dhe të përtypim padrejtësinë. Ne nuk jemi mbledhur këtu kundër Shqipërisë, sikur thonë bijtë dhe bijat e komunistëve. Ne jemi mbledhur këtu për Shqipërinë, për një Shqipëri ku nderi nuk blihet me bileta koncertesh dhe ligji nuk shitet me shishe vere. Për një Shqipëri ku djersa e popullit nuk shkelet nga këmbët e pista të Edi Ramës.
E keni harruar se kujt duhet t’i shërbeni, por po ju tregojmë se asnjë pushtet nuk është i përjetshëm. Karriget ndërrohen, emrat harrohen dhe populli mbetet. Kur populli çohet me dinjitet dhe pa frikë, nuk ka pushtet që mund ta ndalë. Mos harroni se sa herë një prej nesh largohet nga vendi, Shqipëria varfërohet. Dhe nuk varfërohet vetëm për bukë, por edhe për dije, liri dhe jetë. Populli ynë do të mbetet mbi çdo pushtet dhe çdo hije tuajën.
Ne nuk kemi ardhur të mbjellim përçarje, por të zgjojmë ndërgjegjen. Kemi ardhur të ndezim shpresën prej 55 ditësh, që nuk mund ta fikë dhuna e Besfortit të pabesë, që vetëm besë e burrëri nuk ka. Prandaj, ta dëgjojnë mirë 140 krimat në Parlament që kujtojnë se Shqipëria u përket atyre. Shqipëria nuk është plaçkë që ndahet dhe fron që trashëgohet. Është amanet. Amaneti nuk shitet, nuk tjetërsohet dhe nuk poshtërohet. Më në fund kombit tonë i ka ardhur ndërgjegjja dhe Taulant Balla, Zegjinia, nuk mundën të na ndalin drejt fitores dhe demokracisë.
© Panorama.al











