“Ka 55 ditë që e tmerrojmë!”- Aktivisti i përgjigjet Ramës: A jepet besa dikujt që i ka prerë në besë qytetarët për 13 vite? I vetmi shpëtim nga makthi që e ka zënë është dorëheqja

Jul 24, 2026 | 20:13

Në ditën e 55-të të protestave kundër qeverisë, aktivistët kanë reaguar ndaj dokumentit të prezantuar nga kryeministri Edi Rama me emrin “Besa”, ku njëri prej tyre deklaroi se ai nuk mund të kërkojë “besën” e qytetarëve që ua ka shkelur për 13 vite.

“Sot bëhen 55 ditë në këtë shesh, ku kërkojmë dorëheqjen e këtij kryeministri dhe kësaj qeverie. Dhe pikërisht në ditën e 55-të, kryeministri u shfaq duke na kërkuar besën. Por a i jepet besa dikujt që ua ka prerë në besë qytetarëve të lirë për 13 vite?”, u shpreh ai.

Aktivisti akuzoi Ramën se po përpiqet të mbajë pushtetin përmes presionit dhe frikësimit, ndërsa tha se protestuesit nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.

“Edi Ramës i ka ardhur fundi. Ai thjesht po përpiqet ta mbajë pushtetin me dhunë, duke menduar se do të na frikësojë që të shkojmë në shtëpi. Por ne nuk do ta lejojmë”, tha ai, ndërsa shtoi se në fjalimin para grupit të PS-së kryeministri ishte fizikisht, por fytyra i kishte ikur, sepse ka 55 ditë që nuk e bën gjumin rehat.

“Ka 55 ditë që e tmerrojmë, ka 55 ditë që na sheh në ëndrra dhe ne do të jemi këtu po aq ditë sa të jetë e nevojshme, derisa të japë dorëheqjen. I vetmi shpëtim për këtë makth që e ka zënë është dorëheqja e parevokueshme”, përfundoi ai.

Aktivisti: Sot bëhen 55 ditë në këtë shesh, ku kërkojmë dorëheqjen e këtij kryeministri dhe kësaj qeverie. Dhe pikërisht në ditën e 55-të, kryeministri u shfaq duke na kërkuar besën. Por a i jepet besa dikujt që ua ka prerë në besë qytetarëve të lirë për 13 vite, çdo ditë dhe pa ndaluar? A i jepet besa këtij kryeministri? Nuk ka besë për një kryeministër që, jo më larg se dje, ua preu në besë qytetarëve të cilët kanë 55 ditë që protestojnë në mënyrë paqësore.

Edhe dje e pamë se Edi Ramës i ka ardhur fundi. Ai thjesht po përpiqet ta mbajë pushtetin me dhunë. Po përpiqet të na frikësojë, që ne të shkojmë në shtëpi dhe ai të vazhdojë sundimin e tij. Por a do ta lejojmë ne këtë gjë? Jo! A do ta lejojmë këtë pushtet kriminal të vazhdojë edhe më shumë? Jo!

Siç e pamë edhe sot, kryeministri ishte fizikisht, por fytyra i kishte ikur, sepse ka 55 ditë që nuk e bën gjumin rehat. Ka 55 ditë që e tmerrojmë, ka 55 ditë që na sheh në ëndrra dhe ne do të jemi këtu po aq ditë sa të jetë e nevojshme, derisa të japë dorëheqjen.

Unë mendoj se një gjë është e sigurt, ne nuk do të dorëzohemi dhe Edi Rama do të japë dorëheqjen. Ai e di shumë mirë këtë gjë. E di shumë mirë që nuk ka shpëtim dhe i vetmi shpëtim është dorëheqja e tij. I vetmi shpëtim për këtë makth që e ka zënë është dorëheqja e parevokueshme. E pamë se Edi Rama po përpiqet që të zbusë procesin e dorëheqjes së tij, që kur të japë dorëheqjen, të paktën t’i shpëtojë drejtësisë.

Kjo është një thirrje për ne që të mos tërhiqemi dhe të mos gënjehemi nga biskotat e Edi Ramës, sepse pas dorëheqjes ai duhet të shkojë para drejtësisë. Më pas vjen kërkesa e dytë, e cila është artikuluar prej 55 ditësh me radhë: një qeveri tranzitore.

© Panorama.al

Te lidhura