Kryeministri Rama i talli, shqiptarët solidarizohen dhe mbledhin donacion 150 mijë dollarë për nënë Filen dhe djalin e saj me aftësi të veçanta!

Jul 24, 2026 | 20:45

Një lëvizje solidarizuese e qytetarëve shqiptarë i është kundërpërgjigjur talljes së kreut të qeverisë.

nene filja

Pas incidentit të ndodhur një ditë më parë pranë Kuvendit gjatë protestës dhe deklaratave të kryeministrit Edi Rama për File Bulkun dhe djalin e saj me spektër autik, Endin, është shtuar vala e solidaritetit në mbështetje të familjes.

Një fushatë në platformën GoFundMe ka arritur të mbledhë deri më tani rreth 150 mijë dollarë.

File Bulku ka sqaruar se ditën e ngjarjes nuk ishte pjesë e protestës, por po kthehej pasi kishte dërguar të birin në terapi. Sipas saj, për shkak të rrugëve të bllokuara u gjend pranë zonës së protestës dhe u prek nga uji me piper i përdorur nga policia.

Ajo ka mohuar pretendimet e kryeministrit Edi Rama se ishte përdorur si “mburojë” gjatë protestës, duke i bërë thirrje kreut të qeverisë të përballet publikisht me të.

Nga ana tjetër, Rama e cilësoi si “hipokrit” solidaritetin e protestuesve, duke i akuzuar se e kishin çuar pranë Parlamentit “për ta abuzuar atë nënë, bashkë me fëmijën”, krahasim që e lidhi me praktika të përdorura, sipas tij, nga organizata terroriste.

Ndërkohë, organizata jofitimprurëse “Brandon Forever 22 Legacy” ka nisur një fushatë humanitare për të ndihmuar File Bulkun dhe djalin e saj.

ndihma File

Sipas organizatorëve, familja jeton në kushte të vështira dhe banesa e tyre ka nevojë për rikonstruksion urgjent. Fillimisht fushata synonte të mblidhte 85 mijë dollarë për rehabilitimin e banesës dhe mbulimin e trajtimit e kujdesit për Endin, por kontributet kanë tejkaluar objektivin, duke arritur deri tani në rreth 150 mijë dollarë.

Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve të vazhdojnë të kontribuojnë sipas mundësive, duke theksuar se fondet do të përdoren për të përmirësuar kushtet e jetesës së familjes dhe për të garantuar mbështetjen e nevojshme për djalin me spektër autik.

© Panorama.al

Te lidhura