Analiza e Genc Burimit: Kameleoni Rama ‘ofron’ Besë pasi pështyu mbi ‘Flamingot’ dhe i dogji me acid

Jul 24, 2026 | 20:47

Nga Genc Burimi

protesta genc burimi

Cilën Besë të Zotit Rama të besojmë? Atë të fillimit të Revolucionit të Flamingove kur i tallte me imitime të denja për një klloun cirku dhe i intimidonte si agjentë të shërbimeve të huaja nga Serbia dhe Greqia deri te Kina dhe Irani? Apo të besojmë besën e re të Edi Ramës së sotëm që deklaron se i sheh protestuesit e flamingove si një shans për Partinë Socialiste? Ato janë tha Rama “pasqyra që shoqëria na e vuri përpara duke na sfiduar të shohim vetëveten dhe të verifikojmë seriozisht si po e qeverisim Shqipërinë”.

Në mjekësi ky bipolaritet 180 gradë në një hark as dy mujor, quhet skizofreni.

Në politikë ky quhet refleks kameleoni. Rama kur konstatoi edhe nga zyra e tij ku qe fshehur një mbrëmje të zakonshme revolucioni se murit me kokë nuk i bihet as dhe atij prej puplash të flamingove, po e lë tani veten të udhëhiqet nga e vetmja kartë logjike që ka në dorë, ajo e të mbijetuarit politikisht. “Bashkë me gushtin ikën dhe vapa, zoti na ruajtur ç’dimër vjen prapa”. Frika e tmerrshme nga kjo thënie e hershme popullore në kushtet e një revolucioni që mund të zgjasë deri në hapjen e shkollave në shtator, e çoi Ramën të mblidhte me urgjencë klanin e tij sot në Pallatin e Brigadave për të ndarë me të tijët strategjinë e re.

Si personazhi i peshkaqenit në filmin e animuar Nemo, edhe Rama u mundua sot të përbetohej para peshqve kllounë të kupolës së PS-së se flamingot janë kthyer tashmë në miqtë tanë dhe se nuk duhen shtypur si miza, por përkëdhelur sipas trajektores së puplave. “Asnjë arrogancë më me flamingot dhe as me njerëzit e thjeshtë”, oshëtiu zëri i autokratit në atë sallë gjigante të Pallatit të Brigadave, ku la mise en scène e kupolës socialiste të kujtonte Christ Church Hall të Oxfordit, të riprodhuar me besnikëri në shumë episode të Harry Potter.

Magjistari Rama ndau aty recetën e re të magjisë së tij. Kalaja duhet marrë tani nga brenda, sipas shefit të PS-së, duke i dëgjuar flamingot dhe jo më duke i anatemuar. Të shkretët ministra dhe deputetë socialistë, të cilëve kursi pa kokë i nëndetëses së shefit po i ngjan gjithnjë e më shumë atij të nëndetëses 155, me dallimin se, në rastin e PS-së, është i njëjti shef që jep dy komanda të kundërta. Po me shkopinjtë prej gome dhe acidin që lëshuam pa karar mbi flamingot, si do t’ia bëjmë që t’i përdorim në të ardhmen pa u treguar arrogantë, mendonin nën zë, vajtueshëm, të pranishmit, ndërsa Rama përpiqej t’u shpjegonte recetën se si funksionon empatia. Por shefi, që di t’ua lexojë mendimet të gjithëve si David Koperfildi, edhe nëpërmjet mureve të trasha të Pallatit të Brigadave, e kishte gati përgjigjen edhe për këtë pikë.

“Nuk janë flamingot që rrahim”, tha shefi, “por sorrat dhe korbat”. Ata e meritojnë plotësisht, sipas Ramës, madje edhe më shumë dajak. Ah, sikur ky shef të jepte edhe recetën magjike se si t’i dallojmë flamingot nga shpendët grabitqarë, kur puplat (rrobat) i kanë njësoj. Naivët në atë sallë të stërmadhe, sa egoja e shefit, nuk po e kuptonin këtë të fundit: ndryshimet me fjalën simbolike “Besa” do të jenë vetëm në fjalë, por në vepra do të vazhdohet si më parë; ky revolucion duhet mbytur me çdo mënyrë. Leksioni që u jepte kameleoni në krye të PS-së është si ai i ujkut që qimen duhet ta ndërrojë, por zakonin të mos e harrojë. Flamingot dhe sorrat janë për Ramën e njëjta specie, shpendë që duhen zhdukur, duke përdorur ndoshta në të ardhmen fjalë joshëse si karota, por në terren gjithmonë dajakun si kërbaç.

Në përfundim të këtij episodi të ri të Ali Babës dhe 40 hajdutëve në Pallatin e Brigadave, një konkluzion i pashmangshëm po ravijëzohet: Rama duhet të konsultohet më shumë me një psikanalist sesa me të tijtë. Përgjatë një ore llafazanërie të shfrenuar, ai skanoi të gjitha opsionet për të kërkuar dhe justifikuar arsyet përse ky rebelim i flamingove ndaj një bamirësi për vendin si ai. Deri te vepra e udhëtarit dhe filozofit francez të shekullit XIX, Tocqueville, shkoi Rama për t’u ndriçuar dhe për t’ia kthjelluar audiencës arsyen përse kjo mosmirënjohje e popullit ndaj Kryeministrit të tij. Dhe, jo pa vetëkënaqësi ekstreme, Rama citoi francezin e famshëm të ketë thënë se sa më shumë bën një lider për popullin, aq më mosdurues bëhet populli ndaj liderit, duke i kërkuar me padurim edhe më tepër. Ndaj, u tha Rama trupave speciale të PS-së, le të përpiqemi maksimalisht të mos tregohemi arrogantë dhe flamingot do t’i kemi në xhep – ky ishte mesazhi i shefit.

Në asnjë moment kësaj krijese mbi 2 metra të gjatë, që duhet të ketë një tru të paktën në proporcion me shtatin, nuk i shkoi ndërmend një teori më e thjeshtë, një arsye më “terre à terre”, siç i thonë francezët e sotëm: njerëzit ngrihen sepse nuk e duan më. Kaq. Sa më shpejt ta kuptojë Rama këtë, aq më shpëtimtare do të jetë për të. Ndaj divani i një psikanalisti, që do t’ia nxirrte këtë të vërtetë me takt, jo si flamingot me protesta në bulevard, do t’i shërbente shumë më tepër Kryeministrit në tranzicion të Shqipërisë sesa dekoret faraonike të Pallatit të Brigadave, ku i mungonte vetëm globi prej plastike, si ai me të cilin zbavitej në një film komik Çaplini — sa i paharruar, aq edhe bashkëkohor në këto kohë të rikthimit të reflekseve diktatoriale.

Por, para se të shkojë te divani, Rama të mos harrojë të bëjë një kthesë për nga arka e Shtetit, ku të paguajë faturën e eventit të Partisë Socialiste. Edhe deputetë të tjerë, si ata të opozitës për shembull, duke filluar nga ajo më e vogla e Redi Muçit, do të ëndërronin të përfitonin nga kushtet komode të Pallatit të Brigadave për mbledhjet e tyre partiake. Por, siç thoshte ai francezi tjetër, La Fonten, kushtet i ke sipas pushtetit. Mbledhja e sotme e radhës e kupolës socialiste në Pallatin më të shtrenjtë të Republikës konfirmon edhe një herë konkluzionet e OSBE/ODIHR se në Shqipëri nuk ka garë të barabartë politike. Arroganca në Shqipëri fillon me vetë ekzistencën e Partisë-Shtet dhe ky mëkat në origjinë nuk vetëkorrigjohet; ai spastrohet me revolucion…

“Bulevardi i Flamingove” duhet parë jo si protestë, por pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara duke na sfiduar të shohim vetveten dhe të verifikojmë seriozisht nëse e kemi mendjen dhe zemrën në vendin e duhur për ta qeverisur Shqipërinë e kësaj faze të re që në radhë të parë dhe me doemos duhet ta kuptojmë ne të parët. Unë pashë mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre. Epoka e mbyllur është epoka e mungesave. Epoka e hapur është epoka e pritshmërive ku rruga e re është standard, jo fitore”, tha Rama.

“Ju nuk jeni mosmirënjohës, por matës i ri i standardeve tona. Ata që votuan për ne në qershor, dolën dhe u bashkuan me të tjerët edhe kur protesta drejtohej kundër meje sepse forca e saj përthithëse ishte më imponuese për ta sesa figura ime”, tha Rama.

© Panorama.al

Te lidhura