“Ne protestuam me vezë, ata morën masa sikur të ishim kriminelë”- Anëtarja e Dhomës Britanike të Tregtisë mesazh Ramës: Nuk jua japim besën, s’na përfaqësoni!

Jul 24, 2026 | 21:24

Aktivistja dhe anëtarja e Dhomës Britanike të Tregtisë, Silvana Xhaferi Hoxha, foli nga podiumi i sheshit të protestës së 55-të kundër qeverisë dhe klasës politike, ku akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për sjelljen e tij.

Ajo deklaroi se protestuesit janë mbledhur prej 55 ditësh për t’u kërkuar deputetëve llogari, duke theksuar se, sipas saj, ata nuk përfaqësojnë qytetarët pasi kanë hyrë në Parlament përmes listave të mbyllura. Hoxha akuzoi se teksa qytetarët protestonin me vezë, qeverisa sillej sikur ata të ishin kriminelë, me masat policore.

Sipas saj, në protestë ndodhen dhjetëra juristë që po përgatisin ankesa ndaj veprimeve të policisë dhe u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen për të kërkuar të drejtat e tyre.

Në fund të fjalës së saj, Hoxha iu referua edhe deklaratës së kryeministrit Edi Rama për dokumentin “Besa”, duke e kundërshtuar mesazhin e tij.

“55 ditë, në protestë, shkojmë dhe përpara Parlamentit për t’i thënë deputetëve nuk na përfaqësoni. Në këmbim prej këtyre deputetëve që u futën në atë Parlament, u futën nëpërmjet listave të mbyllura sepse ishin zagarët më të mirë të kryetarëve të partive të tyre. Nuk na përfaqësoni. 55 ditë shkuam në mënyrë simbolike me vezë. Vendosën rrethim me dhjetëra metra larg Parlamentit. Morën masa sikur ne të ishim kriminelë dhe jo të ushtronim të drejtën tonë të protestës. A e di Policia e Shtetit që ka shkelur ligjin. Ka dhjetëra juristë në këtë shesh që po përpilojnë ankesat”, tha ajo mes të tjerash.

Hoxha i ftoi të gjithë qytetarët në sheshin e protestës, edhe ata që kishin probleme juridike me shkeljen e të drejtave apo dhunën policore. Ndërsa në mesazhin e saj i tha kryeministrit se nuk e meritonte besën e shqiptarëve, sepse nuk i përfaqsonte.

“ftojmë të gjithë të vijnë këtu për çdo ankesë do t’u ndihmojmë. Kanë shkelur ligjin duke u vënë në shërbim të klasës politike të kalbur që nuk na përfaqëson. Diaspora është ngritur në këmbë. Zoti kryeministër sot pate kthesë për të kërkuar njëfarë besë, por vetëm përlyen fjalën tonë të bukur. Por nuk jua japim besën, nuk e meritoni, nuk na përfaqësoni”, u shpreh aktivistja.

© Panorama.al

Te lidhura