Aktivisti Edison Lika iu përgjigj deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë protestës së 55-të kundër qeverisë, duke ironizuar ndryshimin e qëndrimit të tij ndaj protestuesve, të cilët janë shtuar në sheshin poshtë zyrës së tij.
Lika tha se, nëse kryeministri e konsideron protestën si një “pasqyrë” të qeverisë së tij, atëherë mesazhi që do të lexojë në të është vetëm një, ‘dorëheqje’.
“Si ka mundësi që nga sorra dhe terroristë, ne u kthyem në njerëz që ishim pasqyra ku qeveria mund të shikonte veten? Nëse kryeministri e sheh me të vërtetë këtë protestë si një pasqyrë të qeverisë së tij, në atë pasqyrë jam i sigurt që do të lexojë vetëm fjalën ‘dorëheqje’”, u shpreh ai.
Sipas aktivistit, nëse Rama mendon se s’ka jetë Shqipëria pa të, e ka gabim, pasi siç tha ai, shqiptarët s’kanë nevojë për diktatorë dhe autokratë.
“Nëse kryeministri mendon se nuk ka jetë Shqipëria pa të, e ka gabim. Ka ore ka. Ka dhe do të ketë shumë më të bukur seç e ka pasur me ty. Rama në burg, Berisha në burg”, tha Lika.
Aktivisti Edison Lika: Diçka nuk e kuptova nga fjalimi i kryeministrit. Si ka mundësi që nga sorra dhe terroristë, ne ishim kthyer në njerëz që ishim pasqyra ku qeveria mund të shikonte veten? Nëse kryeministri e sheh me të vërtetë këtë protestë si një pasqyrë të qeverisë së tij, në atë pasqyrë jam i sigurt që do të lexojë vetëm fjalën “dorëheqje”.
Edhe diçka tjetër, nëse kryeministrit i gënjen mendja se do të japë dorëheqje vetëm për të na dërguar në zgjedhje të parakohshme, e ka gabim. Ne jemi të vetëdijshëm që kjo qeveri ka krimin e organizuar, oligarkinë ekonomike, pushtetin e mediave dhe, sigurisht, patronazhistët.
Ose, nëse kryeministri mendon se nuk ka jetë Shqipëria pa të, e ka gabim. Ka ore ka. Ka dhe do të ketë shumë më të bukur seç e ka pasur me ty. Rama në burg, Berisha në burg.
Pasi ai të japë dorëheqjen, ky vend duhet të kalojë nëpër një qeveri tranzitore, sepse ai e ka marrë peng shoqërinë dhe ne nuk mund të shkojmë në zgjedhje direkt. Kushdo që kërkon zgjedhje të parakohshme, më së paku nuk e do Shqipërinë. Ne duhet të kalojmë përmes një qeverie tranzitore, që kjo qeveri kriminale, pas mandatit të katërt, të pastrohet njëherë e mirë dhe ne të kemi mundësi që, për herë të parë pas 36 vitesh, të kemi zgjedhje të lira.
Ne kërkojmë që çdo njeri, gjatë jetës së vet politike, të mos mund të ketë më shumë se dy mandate si kryeministër. Nuk kemi nevojë as për diktator dhe as për autokrat.
© Panorama.al











