Në kërkim të varreve të fshehta, dëshmitë për pushkatimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës! Misteri i vendgroposjes më 1984

Jan 13, 2026 | 13:05

sokol sokoliBEDRI BLLOSHMI

Kur shpërtheu revolta në burgun e Qaf Barit në rrethin e Pukës, ku u dënuan me pushkatim në 1984 Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, dy më trimat, më guximtarët e më të pa përkulshmit të cilët nuk njohën sprapsje bashkë me dhjetë të tjerët jo më pak trima e përkrahës të njëri-tjetrit. Po të shihje lëvizjet e tyre në përballjen e dhimbshme, që e filloi policia, të kujtonte ato ndeshjet e kohës së gladiatorëve. Megjithëse policët e panë organizimin e forcën e të dënuarve dhe nuk bënë rezistencë, por të detyruar morën vrapin për të shpëtuar kokën, siç bëjnë gjithnjë të mundurit “Ik të ikim”. Ata i lanë kapelat me yllin e diktaturës në oborrin përpara mensës pa u interesuar fare për njëri-tjetrin. Frika e njeh guximin, shpëtimi vjen vetëm tek këmbët e shpejta. Sa herë bisedonim me shokët e mi për revoltën e Qafë Barit, biseda përqendrohej te gjetja e dy të pushkatuarve. Me familjarët nuk njihesha, dija vetëm një fakt se Sokol Sokoli ishte jetim, ndërsa Tom Ndoja kishte prindërit dhe vëllezër. Kisha shkruar vazhdimisht për revoltën e Qafë Barit, kisha bërë thirrje disa herë në emisione televizive se kush dinte apo kishte informacion për vend-groposjen, të na jepnin mundësinë t’i gjenim e t’i varrosnim me të gjitha nderet që iu takojnë të rënëve nga regjimi i komunizmit. Në një intervistë televizive bëra prapë thirrje për të pushkatuarit e revoltës së Qaf Barit. Bëra thirrje edhe për familjarët. Në atë çast, drejtuesit të emisionit i erdhi një mesazh nga kushërinjtë e Sokol Sokolit të cilët kërkonin të lidheshin me mua për këtë problem.

RRUGËS PËR NË QAFË BARI

Dita e nesërme ishte 22 maj dhe në mënyrë krejt private u bashkuam e vendosëm të përkujtonim këtë ditë në nderin e kujtimin e të rënëve. Aty u lidhëm e njohëm me kushëririn e parë të Sokol Sokolit. Rrugës për në Qaf Bari biseduam gjatë për mundësinë dhe rrugën që duhej ndjekur. Sa herë më jepej mundësia vazhdoja të bëja thirrje se kush kishte informacion, duke garantuar se do ta ruaja identitetin e personit e duke i garantuar se asnjëherë nuk do ta bëja publike emrin e personit, por askush nuk ndihej. Para dy vjetëve a më shumë, duke mos reshtur asnjë çast interesimi për gjetjen e eshtrave të tyre, më ra në dorë një dokument shumë i rëndësishëm. Është një dokument i përpiluar nga Dega e Punëve të Brendshme të Shkodrës. Ky dokument ka emrat e atyre personave që kanë marrë pjesë në ekzekutimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës natën e errët të 8 qershorit në orën 00-1984. Po ashtu ky dokument ka dhe fjalën e fundit të të ekzekutuarve.

NË KËRKIM TË ESHTRAVE

Bashkë me familjarët u nisëm drejt Shkodrës në vendin e quajtur “Antena e radios në Kuç”. Sapo u afruam të binte në sy rrethimi me tela me gjemba i një sipërfaqeje të konsiderueshme toke të sheshtë të mbuluar me bar të pakorrur. Në mesin e kësaj hapësire vegjetonte një antenë shumë e lartë dhe jo funksionale. Gjëja që më habiti më shumë ishte se ai vend ruhej me roje edhe sot e kësaj dite. Kishte disa punonjës dhe një përgjegjës. Dera e hekurt dhe e ndryshkur e këtij rrethimi rrinte akoma e kyçur. Nga brenda rrethimit ishte një godinë një katëshe prej betoni edhe kjo me derë të kyçur. U prezantuam se kush ishim dhe pse kishim ardhur në këtë vend të rrethuar. Një burrë mbi të pesëdhjetat filloi të rezistonte të mos na lejonte të futeshim brenda, aq më tepër kur ne ua thamë problemin që kishim e se do gërmonim me një mjet deri sa të gjenim atë që kërkonim. Ai na e preu shkurt se pa leje nga ndërmarrja e tyre, e cila ishte në Tiranë, ne nuk do të fillonim gërmimet.

DËSHMITË PËR PUSHKATIMIN

Atëherë biseda filloi më e shtruar. “Mirë – iu thashë unë, pa siguruar një leje nga ndërmarrja juaj nuk do të ndërmarrim asnjë veprim, por, a mund të na thoni se çfarë dini për problemin në fjalë?” Njëri nga ata të dy filloi të na tregojë: “Ne kemi, dëgjuar nga një polic, se atë natë e kishin mbyllur rojën në godinë. Aty nga mesi i natës erdhën dy makina plot me oficerë dhe civilë. Ne dimë se atë natë u fik drita e asaj truprojë (duke treguar me dorë). Aty bënte shërbim ushtari natë-ditë dhe përballë kësaj, nga krahu tjetër, është dhe një truprojë tjetër, ja atje, (duke treguar me dorë nga duhet të shikonim). Gropa duhet të jetë rrëzë gardhit me tela me gjemba. Që nga hyrja e deri në truprojë rrëzë gardhit është futur një kabull elektrik i cili (atë natë, siç kemi dëgjuar, drita nuk ka pasur) duhet të jetë këputur nga ata që hapën gropën. Sipas meje duhet gërmuar për të gjetur kabullin. Atje ku është kabulli i këputur, janë ata. Qysh atë natë, ajo kabinë nuk ka pasur më ndriçim.”. Ai tjetri mori fjalën, duke thënë se kishte punuar si inxhinier aty dhe filloi të tregonte: “Atë mëngjes, kur erdhëm në punë, pamë kalin, që kulloste si zakonisht brenda rrethimit, të vraponte dhe diku këtu, vinte e gërmonte me këmbë dhe s’pushonte së hingëlliri. Ata, me siguri, këtu në këtë zonë janë megjithëse e gjithë kjo fushe, siç kemi dëgjuar, është plot me të pushkatuar. Ja, atje, në rrëzë të antenës, kishin groposur një çift të rinjsh të cilët i kishin vrarë në kufi më 1990-tën”.

PROCES VERBALI I EKZEKUTIMIT

Që t’i bindja, u tregova proces verbalin e ekzekutimit. Më kërkuan një kopje të proces verbalit të cilin ua dhashë, u habitën dhe shtangën kur lexuan emrat e atyre që kishin marrë pjesë në ekzekutim, madje disa prej tyre i njihnin dhe habiteshin, duke mos e besuar se ata ishin marrë me ato punë. Kjo qe biseda në sheshin e antenës. Na ftuan për një kafe në një lokal pranë hekurudhës ku biseda filloi përsëri edhe me të zotin e lokalit. Të gjithë sa ishin aty shpreheshin se kishin dëgjuar që antena ishte si vend pushkatimi mbas zallit të Kirit. Pasi mbaruam kafen, u ndamë me mendimin se do të shiheshim prapë dhe ata ishin të gatshëm të na ndihmonin sa të mundeshin. Të nesërmen, që në mëngjes, u interesova se ku ishte drejtoria e kësaj ndërmarrjeje. Bashkë me Simon Sokolin e gjetëm ndërmarrjen, njeriu i parë me të cilin u ndeshëm, ishte roja. Një grua e moshuar me cigare në gojë na u drejtua gjithë kompetencë:

– “Kush jeni ju dhe kë kërkoni? Keni ardhur shpejt, ata vijnë mbas orës njëmbëdhjetë.

– Të lutem, – i thashë, – duam të takojmë drejtorin. Kemi një problem urgjent që s’na pret puna. Të lutem, na ndihmo po munde. – Dëgjo more zotni, se qenke burrë me thinja. Unë nuk të gënjej. Këtu vetëm unë jam. Hajde më vonë megjithëse drejtori futet me gjithë makinë brenda e nuk ndalet, por unë do e ndaloj dhe do t’i them se e kërkon dikush. Uluni diku, ja atje, tek ajo kafeneja se ju thërras unë”.

Kishte kaluar ora 11, më në fund drejtori mbërriti. Pas bisedës me rojën, na priti në zyrë. Ia thamë problemin që kishim dhe ai u tregua shumë i gatshëm, na ngushëlloi e thirri sekretaren duke e urdhëruar: “Shpejt, mbush një formular-leje për në Kuç të Shkodrës”.

Morëm shkresën e vulosur, e falënderuam dhe u ndamë.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura