Deputeti Saimir Korreshi ka vendosur të futet në garë për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, përballë Flamur Nokës, teksa sot zhvillohet mbledhja Këshillit Kombëtar të PD-së.
Pak para nisjes së mbledhjes, Korreshi konfirmoi për mediat kandidimin e tij, duke theksuar se bëhet fjalë për një vendim të marrë gjatë ditës së sotme.
“Është vendim i ditës së sotme”, u shpreh ai para gazetarëve.
I pyetur nëse kandidimi ishte një vendim personal, Korreshi u përgjigj: “Nuk më detyron njeri. Na njohin, pse të bëjmë fushatë. Lobimi është ajo çka ne përfaqësojmë me njëri-tjetrin. Të gjithë e dinë, nëse ka ardhur koha që do ndryshojë, do ndryshojë.”
Ndërsa, pyetjes se çfarë do të bënte nëse do të zgjidhej numri dy i Partisë Demokratike, Korreshi iu përgjigj shkurt: “Të mbarojë njëherë votimi, pastaj flasim.”
© Panorama.al












